
Ndoshta sondazhet e brendshme tregojnë ose një disfavor përballë pushtetit të Ramës që ka angazhuar çdo qelizë të shtetit, por edhe oligarkisë për të thithur sa më shumë vota në favor nga kjo kategori, ose e kanë kuptuar që formula e zgjedhur për të llogaritur votat e emigrantëve nuk i favorizon në shpërndarjen e mandateve
Partia Demokratike ka kushtëzuar qëndrimin e saj në Kuvend lidhur me votën e diasporës me kërkesën që në 11 maj të lejohen të votojnë edhe emigrantët që nuk kanë dokumente shqiptare. Vendimi u artikulua qartë nga kreu demokrat Sali Berisha, ndërsa duket si një ndryshim rregullash teksa loja ka nisur.
Kuvendi miratoi 6 muaj më parë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që emigrantëve t`u jepej e drejta të votonin me postë në zgjedhjet e 11 majit, një risi kjo për proceset elektorale në Shqipëri. Ndërkohë Kuvendi duhet të miratojë një draft me 3 pika për votën e diasporës, që mundëson pagesën e postës edhe në kthim, afrimin e afateve me 10 ditë, që do i jepte diasporës mundësi të kishte më herët fletën e votimit në duar si dhe numërimin e votës së tyre nga komisionerë politikë, propozim ky i hedhur nga opozita, i dakordësuar nga mazhoranca dhe i pranuar nga KQZ.
Por, PD e drejtuar nga Berisha së fundmi e ka kushtëzuar votën e saj në Kuvend me kushtin që në 11 maj të votojnë edhe ata shqiptarë që nuk kanë dokumente shqiptare.
Pra, të drejtën e votës ta ketë çdokush që ndodhet në regjistrin e gjendjes civile, që përmbush kriterin e moshës për të pasur të drejtën e votës, pavarësisht se mund të mos ketë pasur asnjëherë interes për t´u pajisur me një dokument shqiptar.
Sistemi që po aplikohet në Shqipëri për regjistrimin e emigrantëve si zgjedhës nuk lejon ngarkimin e dokumenteve të huaja, prsh një ID italiane apo të çdo shteti tjetër. Në thelb demokratët mund të kenë të drejtë në propozimin e tyre, por ai mund të bëhej muaj më parë, atëherë kur palët negocionin jashtë vëmendjes publike për t´i dhënë të drejtën shqiptarëve që jetonin jashtë vendit që të ushtronin të drejtën e votës me postë.
Tani që loja ka nisur kushtëzimi i procesit me një kërkesë që duket qartazi që nuk do të pranohet nga socialistët, mund të bëhet për dy arsye.
E para është një pendim nga ana e demokratëve që drejtohen nga Berisha, edhe pse për vite me rradhë kanë deklaruar se shqiptarët që janë larguar, veçanërisht në vitet e qeverisjes Rama janë mbështetës të opozitës. Po pse mund të jetë penduar Berisha për votën e emigrantëve në kushte të tilla? Ndoshta sondazhet e brendshme tregojnë ose një disfavor përballë pushtetit të Ramës që ka angazhuar çdo qelizë të shtetit, por edhe oligarkisë për të thithur sa më shumë vota në favor nga kjo kategori, ose e kanë kuptuar që formula e zgjedhur për të llogaritur votat e emigrantëve nuk i favorizon në shpërndarjen e mandateve, por thjesht do të rrisë përqindjen e pjesëmarrjes në zgjedhje, duke legjitimuar një rezultat për fituesin.
E dyta është pazari. Berisha duke vendosur një kusht të tillë synon që të bëjë pazarin e rradhës, përmes negociatave të hapura ose të fshehta. Kjo metodë në politikën shqiptare është aplikuar sa herë ka zgjedhje. Këtë ka bërë Edi Rama kur ka qenë në opozitë, këtë po bën sot edhe Berisha. Pazar që jo domosdoshmërisht mund të përkthehet në një konçension politik. Pra Berisha po mban fort kushtin për të votuar draftin me shpresën se Edi Rama do të ulet në bisedime, vetë ose përmes të deleguarve të tij.
Dikush mund t´a konsiderojë fare normal kushtin që sot Berisha e përdor si “çelës” për të hapur një derë të blinduar, por askush nuk e pengonte që 6, 8 apo 12 muaj përpara, ai ose të mandatuarit e PD, ta kthenin në kryefjalë dhe të mos humbnin kohën me mosbindjet imagjinare civile. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje