
Ish-deputeti Myslim Murrizi këmbëngul te mbajtja e procesit të Primareve.
Teksa Gazmet Bardhi dhe disa të tjerë kanë dalë kundër, për Murrizin ato duhet të mbahen dhe të jenë kombëtare. Madje ai i thumboi dhe atë që i lëpihen Berishës, për të gjetur një vend të sigurt në lista.
“PD duhet të mbledh sa më shpejt Këshillin Kombëtar, duhet të bëjë sa më shpejt primaret për të cilat i qëndroj mendimit se duhet të jenë Kombëtare dhe duhet të caktojë kandidatet për deputetë në çdo qark, që të filloj fushata e te biem rehat nga “lëpirjet” dhe deklaratat delirante.
Në PD ka dy kategori individësh që aspirojnë të jenë në politikë: Njëra kërkon të futet në B…. të kujtdo që ka në dore t’i fusë në listën e mbyllur. Dhe tjetra që kërkon votën e Qytetarëve, garën mes vetes në PD dhe tek Qytetarët”, shkruan Murrizi.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gazment Bardhi shprehu dje shqetësimin se për primaret që pritet të mbajë për herë të parë forca e tij politike, duke thënë se mund të jetë shumë vonë për ta realizuar siç duhet këtë proces.
“Në vlerësimin tim dhe sa unë shoh në kontaktet e përditshme me ata, vlerësojmë kontributin e secilit prej deputetëve për atë që ata kanë dhënë në mbrojtje të interesit publik. Pra, në këtë drejtim nuk kam një shqetësim. Shqetësimi im lind për faktin se së pari jemi shumë vonë për këtë proces. Pra, jemi shumë afër zgjedhjeve dhe do të duhet të presim, nuk ka akoma rregulla të miratuara dhe do të duhet të presim rregullat dhe atë e kam thënë disa herë publikisht por edhe brenda institucioneve të partisë, që rregullat duhet të jenë të tilla që të mos krijojnë destabilitet në parti, të mos krijojnë përplasje në parti se kjo nuk do të ishte e shëndetshme tre muaj para zgjedhjeve”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje