TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Shtator 2024, 15:28

SPAK kopsit dosjen “Partizani”, Berisha dhe dhëndri thirren në prokurori për t'u komunikuar akuzat

Shkruar nga Pamfleti

SPAK kopsit dosjen “Partizani”, Berisha dhe dhëndri thirren

Berisha pritet të mbërrijë në prokurori orën 12:00, ndërsa dhëndri Jamarbër Malltezi do paraqitet në 14:00...

Prokuroria e Posaçme duket se ka kopsitur dosjen për kompleksin “Partizani”. Pas zvarritjes së gati një viti, që pas vendosjes së Sali Berishës dhe dhëndrit të tij në arrest shtëpie, prokurorët kanë vendosur të konkludojnë me akuzat dhe të dërgojnë për gjykim ish-kryeministrin dhe dhëndrin e tij.

Mësohet se ata janë thirrur ditën e mërkurë në organin e akuzës ku do të njihen me dosjen. Berisha pritet të mbërrijë në prokurori në orën 12:00, ndërsa dhëndri Jamarbër Malltezi do paraqitet në 14:00.

Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzimet me privatizimin e pronave tek ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.

Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.

Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: “Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi; Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi; Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro”. /Pamfleti

Lini një Përgjigje