Tragjikomedia e demokracisë serbe është se Serbia nuk ka alternativë demokratike dhe proevropiane të gatshme për të udhëhequr revoltën popullore, ndërkohë që kleronacionalizmi dhe opozita proruse po i fryjnë zjarrit që mund ta fusë Serbinë në kaos...
Studentët po përpiqen ta kthejnë Serbinë mbarë, ta bëjnë një shtet funksional, demokratik dhe me një qeverisje të përgjegjshme. Pozita po mbrohet me të gjitha mjetet, përfshi arrestimet dhe dhunën mbi demonstruesit, të cilët i paraqet si qytetarë të pakënaqur.
Është e qartë se Serbia nuk ka opozitë evropiane të artikuluar. Politika në dy karrige e presidentit Vuçiç i ka marrë argumentet edhe opozitës. Kur i kundërvihet Perëndimit, përdor opozitën proruse dhe kleronacionaliste, ndërsa kur i kundërvihet Rusisë, që ndodh më rrallë, këtë e bën përmes opozitës proevropiane.
Ndërkohë, vendi po vlon nga protestat e studentëve dhe kërkesa e llogarisë. Më shumë se pesëdhjetë mijë studentë dhe qytetarë protestojnë para ndërtesës së RTS-së në Beograd. Pavarësisht temperaturave të ulëta, ata mblidhen para Televizionit Publik për të shprehur revoltën e tyre për raportimin e anshëm dhe në mbrojtje të regjimit në Serbi.
Me parullën "E drejta jonë për të ditur gjithçka", protestuesit shprehin pakënaqësinë e tyre për mënyrën e raportimit të shërbimit publik mediatik për situatën në vend dhe zhvillimet ndërkombëtare. Protesta filloi me një minutë heshtje për 15 personat që humbën jetën nga rrëzimi i një mbulese në Novi Sad, gjatë së cilës protestuesit përdorën efektet e dritës së telefonave për të plotësuar efektin e heshtjes. Gjatë transmetimit të lajmeve kombëtare, turma thërriste "Na transmetoni drejtpërdrejt".
Flamujt serbë valëviteshin mes shumë pankartave, zhurma e bilbilave, vuvuzelave dhe goditjeve në enë dëgjohej në një rreze prej disa kilometrash. Protesta u shënua edhe me performanca nga një maketë e madhe sanduiçi me një foto të dyqind eurove, e dedikuar drejtorit të përgjithshëm të RTS-së, Dragan Bujošević.
Fakultetet serbe janë në bllokadë të plotë që nga fillimi i dhjetorit. Ky ishte vetëm një nga shumë tubimet e kësaj jave në të gjithë Serbinë, të mbajtura për të shprehur pakënaqësinë për sulmet ndaj studentëve në bllokadë. Në Novi Sad, një burrë i moshuar sulmoi me thikë protestuesit, ndërsa një ditë më parë, një studente e vitit të parë të Fakultetit Juridik u godit nga një makinë gjatë një bllokade pesëmbëdhjetë minutëshe. Disa net më parë, një grup të rinjsh sulmuan studentët e Fakultetit Juridik në Beograd.
Studentët janë të vendosur të vazhdojnë me bllokadat deri në përmbushjen e katër kërkesave të tyre: publikimi i dokumentacionit të plotë për rinovimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, heqja e akuzave kundër studentëve dhe të rinjve të arrestuar, ndjekja penale e sulmuesve të studentëve dhe profesorëve, si dhe rritja e buxhetit për arsimin e lartë me 20 për qind.
Ndërkohë që pozita përdor dhunën jozyrtare ndaj studentëve duke futur përçarje dhe armiqësi mes qytetarëve për gjoja pengimin e funksionimit të jetës normale nga ana e tyre, opozita me përkrahje të vakët po tregon se nuk ka program alternativ dhe nuk ka një zgjidhje për krizën.
Përderisa studentët ende apolitikë po kërkojnë përgjegjësi, pozita dhe opozita duket se po presin hapat e parë të administratës Trump, ku sërish duket se Vuçiç po e bën më shpejt dhe me sukses kthesën. Tragjikomedia e demokracisë serbe është se Serbia nuk ka alternativë demokratike dhe proevropiane të gatshme për të udhëhequr revoltën popullore, ndërkohë që kleronacionalizmi dhe opozita proruse po i fryjnë zjarrit që mund ta fusë Serbinë në kaos. Pas Sirisë, Serbia rrezikon të bëhet vatër e luftës mes Perëndimit dhe Lindjes dhe mes Islamit dhe Evropës./Pamfleti
Lini një Përgjigje