Sado i fuqishëm që mund të jetë, koalicioni Trump mund të përballet së shpejti me një zgjedhje të vështirë midis zbutjes së populizmit, që është arsyeja e ekzistencës së tij ose zemërimit të bosëve të teknologjisë që janë grumbulluar në krah të tij. Kjo është sfida që do të përcaktojë nëse Trumpizmi do të jetë rezistojë më gjatë se mandati i dytë i Trump...
Donald Trump që nisi dje mandatin e tij të dytë, është një lider politik akoma më agresiv dhe arrogant se rishtari që mbërriti në Uashington pas fitores së tij tronditëse në vitin 2016 ndaj Hillary Clinton. Stafi që ka krijuar këtë herë në Shtëpinë e Bardhë, është një makineri politike më e frikshme se ajo që u përballua aq lehtë nga demokratët herën e fundit.
Por ky rigjallërim i jashtëzakonshëm, është më pak një shenjë se Trump është bërë më profesionist, dhe më shumë se SHBA-ja është bërë më Trumpiane. Trump nuk ka qenë kurrë i famshëm për të mësuarit gjatë punës. Dhe në fakt kjo është ajo që pëlqejnë njerëzit tek ai.
Të mësuarit në punë, tregon praninë e tiparit të përshtatshmërisë tek një person. Dhe mungesa e tij është një e metë karakteriale, për një publik që beson se Uashingtoni i korrupton politikanët. Dhuntitë dhe të metat e tij, janë ato që kishte në vitin 2016.
Emërimi prej tij si Prokuror i Përgjithshëm i Matt Gaetz, një njeri që nuk do të ishte konfirmuar kurrë nga Senati, ishte një veprim tipik i Trump. Ajo të kujtonte sjelljet e 8 viteve më parë. Historia amerikane ka prodhuar presidentë më pak të aftë se Donald Trump - 2 vetëm këtë shekull - por askush nuk ka bërë një punë më të keqe për të plotësuar administratën e tij se në 2016-ën.
Ndoshta ishte e kuptueshme, që një shërbim civil, të cilin e kishte akuzuar për korrupsion, nuk ishte entuziast për zgjedhjen e tij si president. Me disa përjashtime në botën e tregtisë dhe financave, burokratët e nivelit të lartë nisën ta sfidojnë.
Ishte një ngërç i paprecedentë në historinë e Amerikës, dhe analogjia ndoshta më e afërt ishte emërimi i papritur i Recep Tayyip Erdogan në vitin 2003 si kryeministër i Turqisë, kur ai u detyrua të emëronte shumë myslimanë radikalë për të plotësuar postet teknike që nuk u plotësuan dot nga provincialët e tij të devotshëm.
Trump e gjeti veten brenda partisë së gabuar. I vetmi “republikan i Trump” ishte Donald Trump. Por që nga ajo kohë, diçka shumë e madhe ka nisur në partinë e tij. Ata që besuan në idenë e shkatërrimit të establishmentit amerikan, kanë filluar të organizohen në mënyrë spontane.
Trumpianët e kanë uzurpuar Partinë Republikane, duke i dëbuar kundërshtarët e tyre konservatorë të 2016-ës (si Liz Cheney) tek Partia Demokratike dhe duke e konsoliduar pjesën e mbetur të tyre rreth Trumpit.
Ata janë mësuar me disiplinën ideologjike, për shkak të asaj që e shohin si persekutim që iu nënshtrua kandidatit të tyre, jo vetëm nga administrata Biden, por edhe nga një shërbim civil rebel. Këtë herë Shtëpia e Bardhë e Trump do të drejtohet nga floridiania Susie Wiles, e cila beson aq shumë në misionin e presidentit, sa që braktisi guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, kur ai po rritej në sondazhe.
Ndërkohë, është zbehur shumë fuqia e demokratëve për t’i rezistuar Trumpizmit.
Mjedisi i ri mediatik i ka dhënë Trumpit pak hapësirë ideologjike. Tani si synon ta plotësojë administratën e tij me aktivistë, pasi nuk mundi herën e fundit.
Kash Patel, hetues i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, është përzgjedhur për t’u bërë drejtor i FBI-së. Ishte Patel ai që hetoi akuzat e vitit 2017 për ndërhyrjen e Rusisë, cituar në një raport të rremë të paguar nga fushata e Hillary Clinton. Pastaj është Andrew Ferguson, i propozuar nga Trump si kreu i Komisionit Federal të Tregtisë, që i sheh bojkotet politike si shkelje të ligjeve anti-monopol.
Por edhe Tulsi Gabbard, ish-kongresmene demokrate dhe kandidate e Trump për Drejtoreshë e Inteligjencës Qendrore, e njohur për sulmet ndaj Biden në lidhje me qasjen e SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë. Edhe pse flet shpesh për meritokraci, fokusi i Trump është tek besnikëria.
Pete Hegseth, i emëruari i tij si Sekretar i Mbrojtjes, ka orientimin e duhur për një reformë Trumpiane të ushtrisë. Ai beson se ajo duhet të jetë një vend për zhvillimin e “luftëtarëve”, dhe dëshiron ta spastrojë nga elementët e komunitetit LGBT.
Por CV-ja e tij e paqartë (majori i ushtrisë, ekspert televiziv) dhe karakteri i paqëndrueshëm u ngritën si çështje në seancat e javës së kaluar në Kongres dhe Senat. Historikisht, senatorët, me mandatet e tyre 6-vjeçare, kanë qenë mjaftueshëm imunë ndaj ngacmimeve për t’i sfiduar presidentët në proceset e konfirmimit të kabinetit.
Por dominimi i Trumpit në mediat sociale me prirje nga e djathta, e ka rritur shumë presionin ndaj tyre. Kjo gjë ka funksionuar tashmë për senatorin e Iowa-s, Joni Ernst, më parë një skeptik ndaj Hegseth, që tani thotë se do të votojë pro tij.
Trumpizmi qëndroi i bashkuar përballë rezistencës së pamëshirshme, sepse u pa se kishte të bënte me diçka reale, edhe pse vetë Trump nuk i kuptoi kurrë plotësisht pakënaqësitë e ndryshme, për të cilët ai ishte bërë disi një lloj zëdhënësi.
Disa njerëz pranë Trump kanë sot një kuptim më të sofistikuar se pse dhe si po dështon qeveria. Duke mos pasur asnjë përfaqësim në elitën e vjetër ata flasin për ndarjen e pushtetit dhe po kërkojnë mënyra novatore për të ofruar shërbime qeveritare, ashtu si njerëzit që kërkuan privatizimet në vitet 1980 dhe partneritetet publiko-private në vitet 1990.
Kuptimi i epokës së informacionit, i drejtë apo i gabuar qoftë, është se ka disa gjëra me të qeveria s’duhet të merret fare. Pse 2 individë - Elon Musk dhe Jeff Bezos - kanë sot programe hapësinore më ambicioze se NASA? Çfarë është Thesari i Shtetit në epokën e kriptomonedhave?
Ne po fillojmë të kuptojmë spekulimet e mëdha të Trump, për shembull blerjen e Grenlandës. Të gjitha këto mund të jenë ide të çmendura. Por në dallim nga kritikat e mëparshme ndaj burokracisë, ato duket se do të revolucionarizojnë vetë qeverinë amerikane, dhe jo vetëm mënyrën se si ajo i blen gjërat.
Pot ide të tilla, mund të jenë edhe burimi më i madh i tensionit në administratën Trump. Të drejtosh vendin më të madh në botë, është një detyrë shumë komplekse. Trumpizmi ka nevojë për shumë energji, pasi establishmenti ka ende një farë kontrolli mbi shumicën e figurave më të spikatura.
Përcaktimi kushtetues që këshilltarët e kabinetit të punësohen me “këshillën dhe pëlqimin” e Senatit, bie në kundërshtim me rolin që do të luajë në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy.
Por më e rëndësishmja, axhenda e të emëruarve të tillë jozyrtarë të “kabinetit të kuzhinës”, rrezikon të prishë paktin ekonomik bazë të Trumpizmit. Ky pakt, siç edhe u praktikua në mandatin e parë të Trump, ishte të sakrifikonte një pjesë të PBB-së për të siguruar shpërndarjen më të mirë të saj.
Publikut duket se i pëlqen kjo ide. Trump mbështeti grevën e një shoqate që synon të bllokojë automatizimin 36 porteve detare amerikane. Sindikata fitoi për momentin, por kjo do jetë e kushtueshme për transportuesit dhe konsumatorët, dhe ekonomia botërore nuk po shkon në atë drejtim.
Kur Trump u largua nga detyra në vitin 2021, inteligjenca artificiale nuk ishte më shumë se sa një vezullim në sytë e Silicon Valley. Tani AI po i ndërlikon shumë gjërat. Siç u shpreh sipërmarrësi Dario Amodei kohët e fundit, inteligjenca artificiale do të na lejojë para fundit të kësaj dekade të prodhojmë në 5 ose 10 vite vlerën e një shekulli arritje shkencore në të shkuarën.
Por vizionet e errëta të përshpejtimit teknologjik, duket se ka të ngjarë të vendosin pjesët më energjike (kapitaliste) të bazës mbështetëse të Trump kundër pjesës më besnike (populiste). Grindja midis Elon Musk dhe Steve Bannon mbi vizat për inxhinierët e huaj, mund të jetë vetëm fillimi i një konflikti më të gjerë.
Sado i fuqishëm që mund të jetë, koalicioni Trump mund të përballet së shpejti me një zgjedhje të vështirë midis zbutjes së populizmit, që është arsyeja e ekzistencës së tij ose zemërimit të bosëve të teknologjisë që janë grumbulluar në krah të tij. Kjo është sfida që do të përcaktojë nëse Trumpizmi do të jetë rezistojë më gjatë se mandati i dytë i Trump./Përshtati Pamfleti nga “Unherd”
Lini një Përgjigje