
Myslim Murrizi, një nga kandidatët më aktivë të zgjedhjeve të 11 majit, ka reaguar menjëherë pas vendimit të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) për rinumërimin e të gjitha votave në Qarkun e Tiranës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Murrizi ka përshëndetur vendimin, duke e cilësuar si hapin e duhur për të garantuar transparencë dhe ndershmëri, por ka ngritur edhe shqetësime serioze për mënyrën sesi janë trajtuar votat e kandidatëve të listave të hapura. Ai ka akuzuar partitë për kapje të procesit përmes emërimit të numëruesve politikë dhe ka kërkuar rishikim të çdo vote të kontestuar.
Postimi i plotë
Përshëndes vendimin e sotëm të KAS për rinumërimin e të gjitha votave të Qarkut Tiranë, si për subjektet politike por veçanërisht për votat preferenciale të 37 kandidatëve të listës së hapur.
Respekt për z. Ilir Alimehmeti dhe për çdo kandidat tjetër që këmbënguli që të bëhej rinumërimi, që të paktën për herë të parë secili prej nesh të jetë i qetë dhe i qartë me veten për çdo votë që ka marrë.
Duke qenë se të gjithë komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit në çdo qendër votimi apo tavolinë numërimi në çdo KZAZ janë emëruar nga partia dhe jo nga kandidatët e listës së hapur, kjo tregon se besimi i pothuajse të gjithë kandidatëve te numëruesit politikë ka qenë gati zero.
Shpresoj shumë që çdo votë ku duket qartë i shprehur vullneti i zgjedhësve, të cilët kanë votuar numrin 1 PD dhe një kandidat të listës së hapur të PD, por shenjën votuese e kanë vendosur në fund të emrit – siç ka qenë zakonisht në votimet mazhoritare – dhe jo në fillim të emrit, e që janë konsideruar si vota të pavlefshme (rreth 18,000 të tilla në Qarkun Tiranë), të rishikohen me kujdes. Uroj që PD të marrë mandatin e 14-të, dhe kjo kërkon një kujdes të veçantë dhe këmbëngulje nga përfaqësuesit e PD në KQZ gjatë rinumërimit.
Faleminderit shumë edhe zotit Asllan Dogjani për kujdesin që ka treguar për votat e mia në një kuti që më rezulton të jetë e Pezës së Madhe – dhe ishalla është treguar i njëjti kujdes edhe në 133 kutitë e numëruara në Kamëz e Paskuqan, se në Pezë kam merakun mos më kanë ngatërruar me Myslym Pezën (haha).
Përveç Vorës dhe Njësisë nr. 10, ku u votua në mënyrë elektronike, në asnjë KZAZ nga 18 që ka Qarku i Tiranës nuk kam pasur asnjë vëzhgues, sepse numëruesit i emërojnë “udhëheqësat”.
Tani, pas këtij vendimi të shkëlqyer të KAS-it, të presim e të shohim.
Që sipas Shakohoxhës do të thotë: Mbani frymën, njerëz, dhe mos u ekzaltoni para kohe.
Lini një Përgjigje