Rikthehet e lufta gjyqësore për vulën e PD. Një vit më parë pati një beteje të fortë gjykatës mes Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës, ndërkohë e që këtë herë do të ketë një përballje mes Bashës, Bardhit dhe Berishës.
Lulzim Basha në shtator të këtij viti ndryshoi statutin duke sjellë furtunë në PD, por ky statut ka shkuar në gjykatë për tu regjistruar dhe duket se nuk do të kalojë aq lehtë, pasi do te ketë një përballje identike si ajo e një viti më parë.
Sali Berisha dhe Gazmet Bardhi kanë kërkuar që të jenë palë në proces. Grupi i “Rithemelimit” që drejtohet nga Sali Berisha,kërkuar pezullimin e procesit me argumentin se nuk mund të ketë regjistrime shtesë, pa u zgjidhur çështja në themel se kujt i përket vula, çështje që ndodhet në Gjykatën e Lartë. Berisha e ka ankimuar vendimin e Apelit, që i dha vulën Alibeajt.
“Gjykata ka vlerësuar se pjesëmarrja e palëve është e nevojshme, pasi kanë interes në zgjidhjen e këtij procesi. Në këtë moment gjykata nuk gjen asnjë arsye të revokojë vendimi e saj të mëparshëm për thirrjen e palëve në proces si palë të treta. Në lidhje me kërkesën e PD përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vlerëson të legjitimojë praninë e tyre. Në tagrat që Këshilli Kombëtar i ka dhënë 7 deputetëve është edhe përfaqësimi në gjykatë.
Gjykata vlerëson se vullneti i Këshillit Kombëtar ka qenë të përfaqësohet nga 7 deputetë. Këta 7 deputetë kanë të drejtën të zgjedhin një avokat. Në këto kushte, akti i përfaqësimit është konform ligjit.
Në lidhje me palën e tretë, PD përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, gjykata vendos të legjitimojë në proces avokatët Marash Logu dhe Redi Ramaj. Në lidhje me palën e tretë e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, gjykata mban parasysh që i referohet një momenti tjetër procedural të PD. Duke patur parasysh objektin e gjykimit, faktin që ka në objekt ndryshimin e studimeve statutore të shtatorit 2023, gjykata konstaton se autorizimi përkatës nuk përfshin tagra të përfaqësimit”, tha gjyqtari Niko Rrapi.
Përfaqësues të PD zyrtare në shqyrtimin e sotëm në Gjykatën e Tiranës ishin Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa. Nga grupi i Gazment Bardhit ishin Marash Logu dhe Redi Rama, ndërsa nga grupi i Sali Berishës, Çlirim Gjata dhe Franc Nuri. Seanca e sotme u shty për në datë 25 Tetor pasi Çlirim Gjata duhet t’i paraqesë gjykatës prokurë përfaqësimi për palën e udhëhequr nga Sali Berisha.
Pra duket se tani do të nisë nga e para saga se kujt i takon vula. Me shumë gjasë një prej palëve vendimin e Shkallës së Parë do e ankimojë në Apel dhe duket se kështu do vijojë kjo histori. /Pamfleti
Lini një Përgjigje