TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Korrik 2025, 20:52

Rama nxjerr jashtë loje Anuela Ristanin? Shkarkon nga detyra nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës

Shkruar nga Pamfleti
Rama nxjerr jashtë loje Anuela Ristanin? Shkarkon nga detyra
Anuela Ristani-Edi Rama

Rama mësohet të ketë thënë që duhet të emërohen persona të tjerë në postet e nënkryetarëve, deri në mbajtjen e zgjedhjeve...

Furtuna e shkarkimeve në bashki duket se ka përfshirë edhe Tiranën. Kryeministri Edi Rama mblodhi sot në një takim drejtorët e bashkisë dhe deputetë të kryeqytetit, ku ka dhënë shumë direktiva dhe porosi mbi menaxhimin e hapësirave publike.

Por Rama ka kërkuar që të zëvendësohen nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës. Dhe ai nuk bërë përjashtim për Anuela Ristanin, e cila është nënkryetare dhe ka marrë rolin e kryetares së komanduar të bashkisë, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e saj.

Rama mësohet të ketë thënë që duhet të emërohen persona të tjerë në postet e nënkryetarëve dhe secili të ketë në përgjegjësi zona dhe sektorë të caktuar për një menaxhim më të mirë të kryeqytetit. Ai ka kërkuar që nga 4, të bëhen 5 nënkryetarë.

Mësohet se Rama ka ngritur dhe një grup pune, i përbërë nga Ogerta Manastirliu, Blendi Gonxhja dhe Petrit Malaj, që do të merret me intervistimin e emrave që duan të kandidojnë për postin e nënkryetarëve, teksa ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit edhe për emrat aktualë, por që duhet të shkojnë me vizion e strategji të re. 

Sa i takon Ristanit nuk dihet nëse do jetë mes 5 emrave të rinj. Në media flitet se Rama i ka ngarkuar si detyrë procesin e dixhitalizimit. Por duhet theksuar se largimi i saj mund t'i hapë punë kryeministrit, pasi do t'i duhet të kërkojë autorizim të ri nga Veliaj për delegimin e kompetencave.

Sinjalet janë se ka një ftohje mes Ramës dhe Ristanit. Prej ditësh zv.kryeministrja Belinda Balluku po kryen intervista me drejtorët e bashkisë, duke kërkuar vetëm praninë e sekretarit të përgjithshëm dhe jo Anuela Ristanit, çka dëshmon se fshesa mund ta kapë dhe atë.

Në mbledhjen e sotme, Rama ka shprehur vlerësime vetëm për IKMT dhe Policinë Bashkiake, ndërsa ka qenë kritik për sektorët e tjerë.

Furtunën në bashki Rama e paralajmëroi që më herët. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ai tha se po ndihmohet nga Instituti i Tony Blair për të hartuar një strategji riorganizimi për bashkinë më të madhe në vend.

Bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan dhe një sërë të tjerash kanë hapur tanimë thirrjet publike për aplikime për prurje të reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë së tyre. APLIKONI me kurajo dhe besim. Vlora që nisi e para po ecën me fazën e intervistave të të interesuarve, ndërkohë që në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e Bashkisë Tiranë, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera, për të forcuar shtyllat bazë të mirëqeverisjes vendore. Është koha që bashkitë të fuqizojnë kontributet e tyre për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.

 

Lini një Përgjigje