TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Shkurt 2026, 09:49

Rama mbledh grupin e PS, propozon ndryshime ligjore: Kryeministri dhe ministrat përjashtohen nga pezullimi i detyrës

Shkruar nga Pamfleti
Rama mbledh grupin e PS, propozon ndryshime ligjore: Kryeministri dhe ministrat
Grupi parlamentar i PS

Kryeministri Edi Rama, ka mbledhur sot grupin parlamentar të PS-së, ku kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja parashtroi projekt-ligjin e ri të mazhorancës, ku parashikohen ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, sipas të cilit kryeministri si dhe 6 subjekte të tjera do përjashtohen nga masa e pezullimit nga detyra. 

Në total bëhet fjalë për 7 subjekte, Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv.kryeministrat, ministrat, si dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese si dhe kreun e KLSH-së. 

“Neni ka të bëjë me masat ndaluese. Në pikën 1 sqarohet kompetenca që ka gjykata në caktimin e masave ndaluese, pezullimi nga detyra, që është një masë që garanton hetimin dhe ndalimi i ushtrimit të detyrës që lidhet me dënimin përfundimtar. Nuk jemi te e dyta, por jemi te pezullimi nga detyra, ku thuhet se masa nuk shtrihet te të zgjedhurit nga ligji elektoral. Ne propozojmë që në pikën dy, të shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilëve nuk mund të jepet pezullimi nga detyra. Ky rreth shtohet me Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv.kryeministrat dhe ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e KLSH-së. Nga tre subjekte ndaj të cilëve neni 242 përjashton masën e pezullimit nga detyra, i shtohen 7 subjekte të tjera. I jemi referuar strikt Kushtetutës së Shqipërisë”, tha Manja.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama tha se ndryshimet ligjore për të frenuar gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat dhe psote të tjera kushtetuese,  se nuk ka lidhje me rastin Balluku.

Për këtë rast, kryeministri u shpreh se “do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrjen në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv.” Rama tha se askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse.

“Fryma e Kushtetutës dhe orientimet themelore të Kushtetutës nuk mjaftojnë, praktikat e të gjitha vendeve që ne u ngjajmë nuk mjaftojnë, atëherë duhet bërë neni me të gjitha përcaktimet, funksion për funksion, në mënyrë që të mos ketë më mundësi interpretohet. Kjo është arsyeja përse ne e bëjmë këtë ndryshim. Kush e lidh me rastin konkret bën gabim, rasti konkret ka rrugën e vetë, nuk ka lidhje me pezullimin. Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse. Ashtu sikundër askush s’duhet ta mendojë se kjo masë, apo të tjera masa në vijim, kanë të bëjnë me lëkundjen tonë për të mbështetur pa rezervë pavarësinë e drejtësisë”, tha Rama.

 

kryeministri dhe ministrat përjashtohen nga pezullimi i detyrës

Lini një Përgjigje