Ndryshimet e propozuara nuk kanë efekt prapaveprues. Ato nuk ndikojnë në rastin e Belinda Ballukut, për të cilën Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra.
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë ditën e sotme në orën 09:00 grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të paraqesë një paketë ndryshimesh ligjore që prekin nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Nisma, e firmosur nga Edi Rama, Taulant Balla dhe Ulsi Manja, synon të zgjerojë kategorinë e zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra me vendim gjykate. Pas prezantimit në grup, projektligji do të depozitohet në Kuvend.
“Nisma do t’i paraqitet fillimisht, Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij të fillim javës, ditën e hënë në mëngjes, dhe do të jetë transparente edhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias”, tha Rama ditën e djeshme.
Aktualisht, neni 242 parashikon se masa e pezullimit nga ushtrimi i një detyre publike nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral. Me ndryshimet e propozuara, kësaj kategorie do t’i shtohen Presidenti i Republikës, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, Avokati i Popullit, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Teksti ekzistues i nenit përcakton se, me vendimin për pezullim, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit ushtrimin e plotë ose të pjesshëm të detyrës publike, duke përjashtuar personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral. Varianti i ri ruan të njëjtën formulë, por zgjeron listën e përjashtimeve me funksionet e larta kushtetuese.
Kreu i qeverisë theksoi se pezullimi i një ministri për një masë sigurimi penal nuk mund të bllokojë funksionet e tjera të ekzekutivit dhe se pavarësia e gjyqësorit nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e ligjvënësit dhe ekzekutivit.
“Sot ajo është e pavarur dhe duhet të mbetet përgjithmonë e pavarur, por pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat ndër të tjera kanë edhe të drejtën dhe detyrën të emërojnë apo të shkarkojnë ministra dhe kjo e drejtë dhe detyrë, nuk ndahet me gjyqësorin, nuk i takon gjyqësorit dhe nuk mund të lejohet që ta marrë gjyqësori”, shtoi kryeministri.
Ndryshimet e propozuara nuk kanë efekt prapaveprues. Ato nuk ndikojnë në rastin e Belinda Ballukut, për të cilën Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra. Socialistët pritet të mbledhin këtë javë Këshillin e Mandateve në lidhje me kërkesën për arrestimin e saj, pas zbardhjes së vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se kjo lëvizje nga kryeministri Edi Rama për ndryshime ligjore nuk është parë e nuk është dëgjuar askund.
Sipas tij këto lëvizje janë për mbrojtje personale.
“Pra, çfarë do të shohim ne nesër? Do të shohim një akt që s’e kemi parë kurrë ndonjëherë dhe nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë. Deputeti Edi Rama paraqet në parlament amendamentin për të mbrojtur nga pezullimi, nga gjykatës apo kur e kapin në krim kryeministrin, Edi Rama. Kërkon pra, të krijojë një mburojë ligjore.
Me këtë rast, i tmerruar dhe nga protesta, ai përdori fjalët fyese, poshtëruese për njerëzit e idealeve më të larta, për misionarët e vërtetë. Sipas tij, ata janë rrugeçër, janë mercenarë, janë njerëz të paguar.Unë i them Edi Ramës se, ata janë misionarët e shpëtimit të Shqipërisë. Dhe se, 20 shkurti është dita në të cilën idealet më fisnikëve të shqiptarëve, misionarët e këtij vendi, do të mbushin rrugët dhe sheshet e Tiranës për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve, për të shpëtuar Shqipërinë nga narko-diktatori, Edi Rama.”, tha Berisha.
Katastrofe nese do miratohet nese Evropa dhe USA do ti lejoje ta miratojne ku e gjejne te drejten keta hajdutete ordinere te vjedhin e mos preken Ne asnje vend te botes nuk ndodh kjo qe kerkojne keta Gjeja me e mire qe SPAK duhet te bente ne keto momente te vinte dijeni Ambasaden e USA dhe Evropianet Nese kjo ndodh do te ishte nga ngjarjet me te renda per Drejtesine dhe Shqiperine