TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Shkurt 2026, 14:55

Ndryshimet ligjore pas pezullimit të Ballukut, reagon Berisha: Rama është tmerruar nga ultimatumi i Brukselit

Shkruar nga Pamfleti
Ndryshimet ligjore pas pezullimit të Ballukut, reagon Berisha: Rama
Rama është tmerruar nga ultimatumi i Brukselit thotë Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha  akuzon Edi Ramën se po depoziton një nismë ligjore për të krijuar mbrojtje personale pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut.

Berisha, reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe paralajmëroi se Partia Socialiste do të depozitojë të hënën një amendament në Kuvend, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në deklaratën e tij, Berisha e lidhi nismën me atë që e quajti përpjekje të Ramës për të krijuar mburojë ligjore për veten.

Reagimi i plotë i Sali Berishës:

Sot, në monologun e tij të mashtrimit, Edi Rama lëshoi gënjeshtrën e radhës. Ai u tha qytetarëve se paska funksione të padelegueshme. I tmerruar nga ultimatumi i Brukselit, nga anulimi i të gjitha takimeve që kishte në Mynih, ai përsëri, njëlloj si i mbyturi, kapet me fijen e barit. Po bën përpjekjen e fundit për të krijuar një mburojë ligjore ndaj vetes së tij. Cilido që dëgjoi Edi Ramën të flasë për funksione të padelegueshme, për të kuptuar se ai gënjeu, jo njëherë, por gënjeu qindra herë vetëm për funksionin e kryeministrit.

Çka dua të them me këtë?

Në arkivin e Këshillit të Ministrave, janë jo me dhjetëra, por me qindra vendime të firmosura me autorizimin e tij nga zëvendës-ministrat përkatës, sipas kohës.

Por, përveç kësaj, ky është një përcaktim ligjor, i cili e lejon kryeministrin të autorizojë zëvendësin e tij për të firmosur.

Së dyti, vetë Kushtetuta ka parashikuar zëvendësimin, delegimin. Në rast se presidenti i Republikës fluturon, shkon jashtë vendit, zëvendësi i tij është kryetari i parlamentit, me Kushtetutë. Në rast se ministri nuk është, me autorizim të tij zëvendësohet nga zëvendësministri, i cili firmos për ministrin.

Pra, çfarë do të shohim ne nesër?

Do të shohim një akt që s’e kemi parë kurrë ndonjëherë dhe nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë.

Deputeti Edi Rama paraqet në parlament amendamentin për të mbrojtur nga pezullimi, nga gjykatës apo kur e kapin në krim kryeministrin, Edi Rama. Kërkon pra, të krijojë një mburojë ligjore.

Me këtë rast, i tmerruar dhe nga protesta, ai përdori fjalët fyese, poshtëruese për njerëzit e idealeve më të larta, për misionarët e vërtetë.

Sipas tij, ata janë rrugeçër, janë mercenarë, janë njerëz të paguar.

Unë i them Edi Ramës se, ata janë misionarët e shpëtimit të Shqipërisë. Dhe se, 20 shkurti është dita në të cilën idealet më fisnikëve të shqiptarëve, misionarët e këtij vendi, do të mbushin rrugët dhe sheshet e Tiranës për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve, për të shpëtuar Shqipërinë nga narko-diktatori, Edi Rama.”, thotë Berisha.

 

rama është tmerruar nga ultimatumi i brukselit

1 Komente

  1. T
    Tony

    Kur s'te ka gjetur gje ty o jatro mavria nuk e gjen gje as piktorucin e fandaksur.

    Lini një Përgjigje