Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ngritur shqetësime për kushtet e sigurisë në repartin e gazeve mjekësore në Spitalin e Lushnjes. Ai deklaron se dokumente dhe relacione të brendshme flasin për rrezik për jetën e punonjësve dhe pacientëve.
Sipas tij, në një shkresë të datës 13 dhjetor 2024, specialistët e repartit të oksigjenit kanë sinjalizuar mungesë të theksuar të standardeve teknike dhe rrezik maksimal për shkak të kushteve në të cilat funksionon reparti. Në materialet e referuara përmenden edhe incidente të mëparshme, si shpërthime bombulash dhe dëmtime në rrjetin e shpërndarjes së gazeve, ku pretendohet se është vënë në rrezik jeta e punonjësve.
Punonjësit, sipas deputetit, kanë evidentuar edhe mungesë të pajisjeve kundër zjarrit dhe ruajtje të bombulave jashtë kushteve të sigurisë teknike.
Korreshi thekson se përgjegjësi i repartit, ndaj të cilit më herët janë marrë masa disiplinore, është riemëruar në detyrë gjatë vitit 2025. Ai e lidh këtë vendim me shtimin e shqetësimeve për funksionimin e sigurt të repartit.
Deputeti i ka kërkuar organeve ligjzbatuese të nisin hetim dhe Ministrisë së Shëndetësisë të verifikojë situatën në spital, si dhe të përcaktojë përgjegjësitë institucionale.
Postimi i plotë:
Një skandal i rëndë ka ndodhur e vazhdon të ndodhë në Spitalin e Lushnjës, në kufijtë e dramës, ku edhe rrezikohet jeta e punonjësve të oksigjenit, por edhe e pacientëve e të familjarëve të tyre.
Jam bërë me dije të disa relacioneve dhe dokumenteve shqetësuese, të cilat po i publikoj më poshtë, ku punonjësit e repartit të oksigjenit në Spitalin e Lushnjës kanë bërë me dije Drejtorin dhe gjithë ekipin drejtues të këtij spitali për pasojat e rënda dhe dramën e madhe që ndodh me kushtet e sigurimit teknik dhe, më konkretisht:
Me shkresën nr. prot. 1932, datë 13.12.2024, specialistët e repartit të oksigjenit i drejtohen për arsye se “Prezantimi i gjendjes teknike në Spitalin Lushnjë, në repartin e gazrave mjekësore (oksigjen, azot), ku nuk ekzistojnë rregullat e sigurimit teknik dhe rrezikshmëria është në kufijtë maksimalë, ku në çdo kohë jemi përballë një katastrofe me pasoja të paparashikuara”.
Vazhdojnë në shkresën e tyre për avaritë dhe pasojat e ndodhura, deri tek shpërthimet e bombulave me kriter 2 m, që ka rrezikuar jetën e punonjësve. Flaka e zjarrit ka marrë dhe ka sjellë shkrirjen e rregullatorëve, dhe flaka është vënë nën kontroll nga punonjësit.
Ata i shkruajnë Drejtorit patronazhist se nuk ka asnjë fikse zjarri brenda.
Ata ankohen se bombulat e oksigjenit ruhen jashtë kushteve të sigurimit teknik dhe në rrezik të shtuar. Magazina që shërben për depozitimin e tyre është e mbyllur dhe nuk hapet nga përgjegjësi, i cili, gjejeni pak, është ai që rrahu mjekun në Spitalin e Lushnjës dhe shok me patronazhistin Drejtor.
Me presionin që kanë bombulat rrezikohet të hidhet në erë spitali. Tragjedi e paralajmëruar.
Me shkresën nr. prot. 1938, datë 16.12.2024, specialistët e oksigjenit i drejtohen Drejtorit për konstatim defekti.
Ku bëjnë me dije edhe shpërthimin e ndodhur në datën 14.12.2024, shpërthim i fuqishëm, thuhet, që ka prishur teknikën dhe gjithë rrjetin shpërndarës, ku edhe është rrezikuar jeta e një specialisti. Kërkonin blerje fikse zjarri dhe lirimin e magazinës. Shpërthimi i bombulës thuhet se ka ardhur nga ventili shumë i konsumuar dhe fati ka qenë se bombulat e tjera ishin bosh. Ngrenë shqetësimin për shefen e financës, Bedrie Greca, që nuk ka planifikuar fondet e domosdoshme.
Me shkresën nr. 1974, datë 20.12.2024, është kërkuar që në lidhje me problemet e konstatuara në repartin e oksigjenit të mos jetë më përgjegjës Altin Alla, shoku i drejtorit.
Në datën 26.12.2024, nga ish-drejtuesi i Spitalit është dhënë masë vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna për Altin Allën dhe është shkarkuar si përgjegjës i oksigjenit.
Me ardhjen e patronazhistit Roland Ziu si drejtor Spitali, në datë 27.02.2025, me nr. prot. 62, ka riemëruar, edhe pse me masë, përsëri përgjegjës Altin Allën tek oksigjeni, edhe pas dramave të paralajmëruara.
Zërat vazhdojnë të thonë se zëvendësimi i tubave të oksigjenit nga godina që do riparohet, 7 muaj e prishur se nuk jepet leja e ndërtimit, tek godina e improvizuar e urgjencës janë po të njëjtët, vetëm se të lyer, edhe pse ka pasur një tender për këto. Por kjo në një moment tjetër.
Ky skandal nuk mund të mos hetohet dhe të mbahet përgjegjësi, ndaj i drejtohem ministres së Shëndetësisë dhe organeve ligjzbatuese të hetojnë rastin.
Lini një Përgjigje