TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Shkurt 2026, 10:11

180 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK-së, Rama: Kërkesë mizore nga Prokuroria e Hagës

Shkruar nga Pamfleti
180 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK-së, Rama:
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama reagoi këtë të diel ndaj kërkesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënimin me nga 45 vite burg të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë podkastit “Flasim”, Rama foli për akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai kundërshtoi kërkesën e organit të akuzës, duke vënë në dyshim bazën ligjore dhe provat e paraqitura pas disa viteve hetim.

Rama argumentoi se drejtuesit e një lufte çlirimtare nuk mund të mbajnë përgjegjësi penale vetëm për shkak të rolit të tyre drejtues, pa u provuar se kanë dhënë urdhra për sulme ndaj civilëve ose se kanë pasur kontroll të drejtpërdrejtë mbi veprime të paligjshme. Ai shtoi se, sipas tij, mungojnë prova që mbështesin pretendimet për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë viteve 1998-1999.

Kryeministri e konsideroi procesin të papërshtatshëm dhe kërkoi përgjegjësi edhe nga shtetet që mbështesin financiarisht dhe institucionalisht këtë gjykatë.

"Prokuroria e Hagës kërkoi 45 vite burg për Hashim Thaçin dhe për secilin prej tre udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Mu desh dhe më duhet sinqerisht, më duhet kohë të kuptoj se si mund të përballet një gjë e tillë, një çmenduri e tillë, një paturpësi e tillë, një mizori e tillë, me fjalë.

Kërkesa për 45 vite burg për të katër figurat domethënëse të Luftës Çlirimtare, ishte një bombë e hedhur mbi popullin dhe mbi Republikën e Kosovës. Një prokurori krejt e padenjë, e cila për të marrë në shqyrtim historinë e përgjakshme të Luftës Çlirimtare të Kosovës bëri gjashtë vite hetim dhe doli me pretendimin se gjatë viteve ‘98-99, qenkan kryer krime kundër njerëzimit dhe krime luftës ndaj civilëve. Por nuk ka asnjë ligj ndërkombëtar, që lejon dënime mbi pretendime të tilla dhe pa asnjë provë të qartë se ekziston një plan dhe një forcë e organizuar për të sulmuar dhe për t'u marrë jetën civilëve si të tillë, pse janë civilë.

Po ashtu, nuk ka asnjë lloj ligjësie dhe asnjë ligj ndërkombëtar që i hap rrugën dënimit të një udhëheqësi në një luftë çlirimtare, vetëm se ka qenë udhëheqës. Ama, pa provuar se ka dhënë urdhëra për të sulmuar civilët, se ka pasur kontroll real mbi të gjitha formacionet luftarake në territor të një ushtrie çlirimtare në emër, por të një tërësie forcash të bashkuara nga i njëjti ideal dhe qëllim, por jo në të njëjtin organizim në territor apo se ka pasur ndonjë lidhje tjetër drejtpërdrejtë me vepra penale të kësaj ububushmërie. Dhe ajo farë prokurorie dështoi të sillte, qoftë në një provë të vetme për ta mbështetur këtë kërkesë mizore pas gjashtë a pak a shumë gjashtë vitesh hetime e mbështetur nga një zinxhir shtetesh demokratike, të cilat duhet të ndjehen të turpëruara nga një maskaradë e tillë. Ky nuk është një turp për ca prokurorë, për atë farë idioti ndërkombëtar që dilte dhe lexonte broçkulla. Ky është një turp për shtetet që e mbështesin atë gjykatë, që e paguajnë atë gjykatë, që mundësojnë rroga marramendëse për personazhe të kësaj injorance dhe njëkohësisht dhe të kësaj .. nuk di çfarë të them, nuk di çfarë të them.", tha Rama.

kërkesë mizore nga prokuroria e hagës rama për pretencën e thaçit

Lini një Përgjigje