TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Shkurt 2026, 11:28

Ndyshimet në Kod Penal pas kërkesës së Ramës, kush shpëton tjetër nga pezullimi përveç Ballukut

Shkruar nga Pamfleti
Ndyshimet në Kod Penal pas kërkesës së Ramës, kush
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama pritet të depozitojë nesër në Kuvend ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, së bashku me Taulant Ballën dhe Ulsi Manjën, siç parajamëroi sot në podcastin e tij 'Flasim'.

Megjithatë, ndërhyrja ligjore nuk prek situatën e Belinda Ballukut, pasi ligjet nuk veprojnë me fuqi prapavepruese. Masa e sigurisë ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë mbetet në fuqi, duke e lënë atë të pezulluar nga detyra.

Projektndryshimi synon të riformulojë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke zgjeruar kategorinë e zyrtarëve që përjashtohen nga masa e pezullimit. Aktualisht, dispozita përcakton se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

Sipas formulimit ekzistues KODI I PROCEDURËS PENALE, NENI 242:

Është; “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Ndryshimi i propozuar shton në mënyrë të drejtpërdrejtë disa funksione kushtetuese në listën e përjashtimeve:

Si do të bëhet; “Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

Lista përfshin Presidentin e Republikës Bajram Begaj, Avokatin e Popullit Endrit Shabani, kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehu dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Genc Sejko, si dhe anëtarët e qeverisë.

Nëse Kuvendi miraton ndryshimet, gjykatat nuk do të mund të vendosin masën e pezullimit ndaj këtyre funksioneve për rastet e ardhshme. Për rastet ekzistuese, ligji nuk ndryshon efektet e vendimeve të dhëna më parë.

 

ndyshimet në kod penal kush shpëton tjetër nga pezullimi përveç ballukut

1 Komente

  1. P
    Pak nga të gjitha

    Ligji qartë e shqip se masa e pezullimit nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral sipas frymës së kushtetutës po maliqët ish të korruptuar e ngatrojnë personin ( që nënkupton emër mbiemër) me funksion të zgjedhur dhe vetëm një funksion është i zgjedhur kryetari i bashkisë. Paaftësia e gj k për të lexuar e zbatuar juridikisht letrarisht dhe frymën e kushtetuses e detyron ligjvënsin në mënyrë të panevokshme të qartësojë si për nxënësit e fillores ligjin 242 se kushtetuta është e qartë

    Lini një Përgjigje