TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Shkurt 2026, 08:31

Sara Mila reciton Ramën: Gjyqësori të mos bëjë politikë, nuk mund të pezullojë një ministër

Shkruar nga Pamfleti
Sara Mila reciton Ramën: Gjyqësori të mos bëjë
Sara Mila

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, thotë se kryeministri Edi Rama nuk ka ndryshuar qëndrim për Reformën në Drejtësi.

Ajo vlerësoi se dhjetë vite përbëjnë një periudhë të konsiderueshme, por jo të mjaftueshme për të maturuar plotësisht një reformë që nisi si kusht për integrimin në Bashkimin Europian dhe si mekanizëm për të adresuar pandëshkueshmërinë. Sipas saj, gjatë zbatimit kanë dalë në pah çështje që lidhen me raportin mes gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit.

“10 vite nuk janë pak, por nuk janë as shumë për të maturuar një reformë e cila nisi si kusht themelor për anëtarësim në BE, por edhe si domosdoshmëri për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Por, ajo që ka ndodhur në këto vite, gjatë maturimit, sistemi i drejtësisë reflekton disa problematika mbi rolin e gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit. Kryeministri kërkon thjesht një qartësim. Gjyqësori nuk mund të bëjë politikë dhe të vendosë atë që ka në dorë ekzekutivi për ta bërë”, tha Mila për A2 CNN.

Mila theksoi se kryeministri kërkon qartësi në ndarjen e kompetencave dhe se gjyqësori nuk duhet të ndërhyjë në fusha që i përkasin ekzekutivit. Ajo shtoi se pezullimi i një ministri në detyrë nuk duhet të ndodhë pa një vendim të formës së prerë.

E pyetur nëse Rama ka reflektuar ndryshe pas këtyre viteve, deputetja deklaroi se ai do të ndërmerrte të njëjtën nismë edhe nëse do të rikthehej pas në kohë. Sipas saj, Reforma në Drejtësi mbetet zhvillimi më i rëndësishëm institucional në vend dhe diskutimi aktual lidhet me saktësimin e kufijve mes pushteteve, jo me ndryshim qëndrimi.

“Nëse do të kthehej 10 vite pas, do të bënte ekzaktësisht të njëjtën gjë. Reforma në Drejtësi është gjëja më e mirë që i ka ndodhur Shqipërisë, sidomos kur të maturohet siç duhet. Nuk ka ndryshim diskursi, por vendosje pikash mbi i për momente shumë të rëndësishme të ndarjes institucionale”, theksoi Mila. 

gjyqësori të mos bëjë politikë sara mila rama

Lini një Përgjigje