Kryeministri Edi Rama ka lënë në ankth ministrat. Edhe pse në Asamble nuk pati ndryshime në qeveri, mësohet se ato do të ndodhin në ditët në vijim.
Burime të “Pamfletit” nga mbledhja me dyer të mbyllura thanë se kryeministri ka deklaruar se do të ketë një analizë të punës së secilit ministër dhe më pas do të ketë ndryshime në qeveri. Mësohet se në datat 28 dhe 29 korrik Rama do të mbajë një mbledhje informale në Tepelenë, ku dhe aty do të vulosen lëvizjet e reja.
Sot Rama mblodhi Asamblenë Kombëtare, por nuk ndodhi ajo që pritej. Të vetmet zhvillime ishin se Bledi Çuçi do të jetë kryetar i grupit të PS, ndërsa Blendi Klosi do të jetë Sekretar i Përgjithshëm, duke i zënë vendin e Damian Gjiknurit.
Priteshin lëvizje ministrash, por diçka ndryshoi në minutat e fundit. Fillimisht u lajmërua se ishte shkarkuar Delina Ibrahimaj, por më pas u mohua. Megjithatë mësohet se në fund të kësaj jave priten lëvizje. Rama ka thënë se këto ditë do të merrej me qeverinë. Ai ka deklaruar se do të analizojë punën e çdo ministri dhe në fund priten lëvizje në shumë dikastere.
Asambleja sot u mbajt me dyer të mbyllura. Vetë Rama vendosi të mos e transmetojë fjalën e tij, i cili ka qenë kritik në mbledhje. Numri i atyre që po arrestohen po shtohet dhe Rama ka vendosur tu tërheqë veshin të gjithëve. Po ashtu ka vendosur që në shtator të mbledhë Kongresin e PS, ku dhe do të ketë po ashtu zhvillime.
Sinjalet janë se në PS ujrat janë trazuar. Shumë po arrestohen, por ka dhe të pakënaqur. Rama po mundohet t'i largojë nga vetja ata që i hanë kumbulla, por kjo nuk e ka ndihmuar. Mbetet të shihet se cilat do të jenë ndryshimet e mundshme në qeveri.
Lini një Përgjigje