Flitet se Rama do bëjë një pastrim të thellë të grupit parlamentar
Kryeministri Edi Rama ka në tavolinë listën e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit. Sot në Pallatin e Brigadave u mbajt takimi i dytë i tij me ministrat dhe drejtuesit e qarqeve, ku fokusi kryesor ka qenë strategjia dhe ekipi me të cilin Rama do të garojë në zgjedhje. Takimi nisi rreth orës 13.00 dhe përfundoi në orën 20.00.
Sipas burimeve, drejtuesit politikë kanë pasur sot me vete, listat e kandidatëve për secilin qark. Mësohet se Rama u ka lënë detyrë drejtuesve politikë që të sjellin listat me emrat që ata mendojnë se janë të denjë për 11 majin.
Po ashtu është folur mbi organizimin e zgjedhjeve. Rama dhe drejtuesit politik të PS do të jenë të pranishëm në takimet me Diasporën për të kërkuar votën. Fushata do të përqendrohet kryesisht në Greqi dhe në Itali. Sakaq, mësohet po ashtu se raportimi i ministrave në takimin e djeshëm dhe të sotëm ka qenë për atë çfarë do të premtojnë gjatë fushatës.
Gjithashtu është folur dhe për sloganin e zgjedhjeve, i cili flitet se do të jetë: “Me ne në BE, me ata në kënetë?”
Sipas burimeve, pak a shumë sot është ideuar se si do të jetë përfaqësia e PS në zgjedhjet, teksa zyrtarizmi i listës do të bëhet me gjasë të mërkurën në Kryesinë e PS. 12 marsi është afati i fundit për listat e kandidatëve dhe pritet që pas mbledhjes së Kryesisë, drejtuesit politikë të prezantojnë listat për secilin qark.
Mësohet gjithashtu se Rama gjatë këtyre ditëve do të ketë takime 'kokë më kokë' me secilin drejtues politk për të vulosur kandidatët. Me pak fjalë, vota në Kryesi do të jetë formale.
Pak a shumë kryeministri Rama e ka bërë të qartë se si do të jenë listat. Ai ka thënë më herët se vetëm drejtuesit politikë do të jenë në listë të sigurt, ndërsa gjithë deputetët me më shumës e një mandat do të jenë në garë të hapur.
Ndërkohë sot në një aktivitet me gratë në kuadër të 8-Marsit, Rama tha se burrat do të hidhen në fushë që të meritojnë mandate duke nënkuptuar pjesën e listave të hapura. Ndërsa në listat e mbyllura do të ketë gra, vajza dhe djem që do të jenë sipas tij forca e të resë.
“Shikoni mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe aty keni kartvizitën e madhështisë së asaj bauleje me rraqe. Ne do kemi qasje tjetër. Ne burrat, ata që kanë marrë nga PS, do i hedhim në fushë që të meritojnë mandate, ndërsa gratë do t’i ndajmë në dy pjesë. Gratë që do të jenë nikoqiret e gjithë këtij procesi të 4 viteve të ardhshme dhe që do ta marrin përfaqësimin e PS me mbështetjen e të gjithëve ne në pjesën e mbyllur të listave dhe pastaj vajzat që do të jenë pjesë edhe e listave të hapura. Ndërkohë që në listat e mbyllura do kemi djem, do kemi vajza, do të kemi gra që janë forca e të resë, janë forca e gruas, janë forca e një Shqipërie që shikon përtej 2030. Në pjesën tjetër të skuadrës do përfshijmë të gjitha energjitë, eksperiencat dhe patjetër edhe të gjithë burrat luftëtarë do jenë aty për të shkuar dhe për të fituar në territor vota për PS”, tha Rama.
Kjo gjë ka futur në ankth shumë prej deputetëve aktualë, por edhe ministrat e ata socialistë që duan një mandat deputeti. Te lista e hapur gara është shumë e fortë dhe kush do të përfundojë aty duhet të luftojë fort.
Ndërkohë flitet se Rama do bëjë një pastrim të thellë të grupit parlamentar. Rreth 40 për qind e deputetëve aktualë mund të mos ta gjejnë më veten në Parlament në sesionin e ri. /Pamfleti
Lini një Përgjigje