Duke parë këtë narrativë të Rubios, a mos vallë janë venitur edhe shpresat e Berishës për të hequr “non gratën”?
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka drithëruar sot të gjithë fanatikët e Donald Trump.
Me fitoren e tij morën hov të gjithë ata që ishin goditur nga administrata Biden, duke menduar se tani ja hodhën paq.
Në Ballkan dy personat më të lumtur ishin Milorad Dodik i Bosnjes dhe Sali Berisha i Shqipërisë. Të dy “non grata” dhe nën hetim nga drejtësia.
Politikani më i fuqishëm i popullsisë serbe të Bosnjë-Hercegovinës organizoi madje një festë për nder të ish-presidentit dhe presidentit të ardhshëm amerikan. Duke e tallur ambasadën amerikane në Sarajevë, e cila, sipas tij, nuk dëshironte të organizonte një festë, Dodiku tha se ai e mori vetë përsipër këtë detyrë.
Edhe në Tiranë u hap shishja e shampanjës, ku gëzimi ka vijuar për javë të tëra. Berisha nuk la media pa dalë dhe pa u mburrur me fitoren e Trump. Por sot ka ardhur një sinjal i fortë nga përtej Atlantikut, i cili e ka rrudhur buzëqeshjen.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, ka thënë se veprimet e presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të vendit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rubio i bëri thirrje edhe partnerëve në rajon të jenë bashkëpunues.
“Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, tha Rubio.
Dhe zhgënjimi u duk qartë te Dodik, i cili sulmoi Sekretarin e Shtetit.
“Ai gabon kur e thotë këtë. Do të ishte mirë të lexonte se çfarë po ndodh këtu dhe jo thjesht të pranojë narrativat e rreme të krijuara nga administrata e Biden”, tha Dodik.
Duke parë këtë narrativë të Rubios, a mos vallë janë shuar edhe shpresat e Berishës për të hequr “non gratën”? Rubio tregoi se lajkat nuk pinë ujë. Ata ruajnë interesin e SHBA dhe sado që nëpër botë mund të ketë politikanë pro-Trump, nuk do të thotë se ata kanë mbështetjen e tij. Duhet të presim dhe të shohim, por reagimi i Rubios duhet ta ulë me këmbë në tokë Berishën, se bën vaki situata mund të kthehet nga shiu në breshër. /Pamfleti
Lini një Përgjigje