
Kryeministri Edi Rama ka dhënë llogari para homologut të tij grek mbi arrestimin e Fredi Belerit. Ndonëse është një çështje e drejtësisë dhe Shqipëria është shtet sovran, sërish politika e Tiranës “përulet” para Athinës.
Rama ka zhvilluar një takim me Kyriakos Mitsotakis në samitin e NATO në Lituani. Mediat greke shkruajnë se takimi është kërkuar nga Mitsotakis, i cili ka kërkuar nga Rama që Fredi Beleri të lirohet sa më shpejt. Ashtu si ministrat e tij, edhe Mitsotakis ka thënë se Shqipëria po shkel shtetin ligjor. Sa i takon Ramës, nuk dihen qëndrimet, por duket qartë se Athina vijon të kërcënojë me integrimin në BE. Për Mitsotakis një shtet i drejtë ligjor është kusht për integrimin.
Fredi Beleri u arrestua pak ditë para 14 majit, pasi u kap duke blerë vota. Athina reagoi menjëherë duke pretenduar se arrestimi ishte politik, duke qenë se Rama e kishte sulmuar gjatë fushatës. Por pavarësisht presioneve, SPAK dhe gjykata qëndruan të palëkundura, pasi në të dyja shkallët Beleri u la në burg. Prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme që e implikojnë atë në blerjen e votave. Beleri fitoi zgjedhjet, por akoma nuk ka bërë betimin sepse është në qeli.
Ndërkohë Athina ka qenë gjithmonë e vëmendshme dhe nuk ka kursyer sulmet. Më herët edhe vetë Mitsotakis lëshoi kërcënime.
Gjatë një konference për shtyp, pas përfundimit të një samiti në Bruksel në fillim të muajit, Mitsotakis i dërgoi një mesazh të ashpër Tiranës, ndërsa tha se kishte njoftuar homologët e tij për këtë rast.
“Pata rastin të informoj homologët e mi për atë që po ndodh sot në Shqipëri me rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës dhe të shpreh zhgënjimin, indinjatën time për faktin se një kryetar i zgjedhur në fakt arrestohet dy ditë pas zgjedhjes së tij dhe ndodhet në burg, për ne, me dispozita të dyshimta procedurale”, tha Mitsotakis.
Kryeministri grek e cilëson rastin Beleri si “goditje për shtetin e së drejtës dhe për përpjekjet e Shqipërisë për të respektuar acquis evropiane”, ndërsa thotë se kjo do të jetë një element i vlerësimit grek për rrugën evropiane të Shqipërisë.Siaps mediave greke, të njëjtin qëndrim ka mbajtur sot edhe me Ramën.
Lini një Përgjigje