Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është mbledhur këtë pasdite për të diskutuar mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj.
SPAK e akuzon atë si të përfshirë në çështjen e inceneratorëve dhe dërgoi një kërkesë në Kuvend, me qëllim që të lejohet arrestimi dhe kontrolli personal për Ahmetajn. Seanca nisi rreth orës 16.10 dhe në komision ka marrë pjesë edhe vetë kreu i SPAK, Altin Dumani. Ndërkohë Ahmetaj përfaqësohet nga avokatët e tij, duke vendosur që të mos marrë pjesë në mbledhje.
Vetë avokatët e tij kanë kërkuar shtyrjen e seancës së sotme, pasi duan një ditë kohë që të përgatisin mbrojtjen. Mbledhja po mbahet me dyer të mbyllur. SPAK kërkoi që të mos jetë e pranishme media, pasi sipas prokurorëve ka dokumente sekrete dhe nuk duhet të dalin. Por duket se gjitha është formale, pasi dosja dje përfundoi në media. Emrat e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të SPAK dolën sheshit, sikundër ka ndodhur me të gjitha dosjet hetimore.
Vetë Ahmetj nuk ka pasur rol në kontrata koncesionare, por SPAK pretendon se ai ka ndikuar te kolegët dhe punonjës të tjerë që të firmoseshin marrëveshjet.
SPAK ka ngritur ndaj tij akuzën e korrupsionit, të pastrimit të parave dhe atë të fshehjes së pasurisë.
Sipas Kushtetutës, Kodit të Procedurës Penal dhe Rregullores së Kuvendit, për arrestimin e një deputeti duhet që fillimisht të flasë Kuvendi. Këshilli i Mandateve është ai që dëgjon të dyja palët dhe harton një raport, i cili i shkon seancës plenare. Më pas ky raport hidhet në votim dhe në momentin që i hiqet imuniteti deputetit, SPAK-ut i hapet rruga ta arrestojë. Por në fund do të jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse duhet apo jo të qëndrojë në burg Arben Ahmetaj.
Lini një Përgjigje