Pas më shumë se 1 orë e 30 minuta, mbledhja e Këshillit të Mandateve ka nisur normalisht diskutimet lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Mbledhja nisi rreth orës 16.00, por në nisje të saj pati përplasje shumë të forma mes mazhorancës dhe opozitës. SPAK kërkoi që mbledhja të mbahet me dyer të mbyllura dhe PS e mbështeti. Por opozita doli kundër dhe kjo solli debate mes Gazmet Bardhit, Ervin Salinajit dhe Ermonela Felajt.
Sekretari i Përgjithshëm i PD ka akuzuar deputeten e PS se emri i saj është në dosjen e sjellë nga SPAK
“Emri yt është në këtë dosje. Ti ke frikë sepse emri yt është në dosje. Lëri njerëzit të kuptojnë që ti njësoj si Ahmetaj ke qenë pro ndërtimit të inceneratorëve. Je në konflikt interesi!”, u shpreh Bardhi në debat e sipër.
“Mazhoranca ka frikë që shqiptarët të mësojnë të vërtetën për inceneratorët”, tha ai duke shtuar se mazhoranca po ndihmon Ahmetajn të largohet.
Mbledhja u ndërpre dhe rinisi më pas. Ishte vetë kreu i SPAK që nisi parashtrimin e kërkesës. Ai argumentoi se SPAK ka prova që Ahmetaj është i përfshirë në fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash dhe për këtë arsye është kërkuar arrestimi i tij.
Ndërkohë ndaj kreut të SPAK ka pasur një pyetje nga deputeti Bardhi nëse kanë informacion se ku ndodhet aktualisht Ahmetaj. Dumani tha se nuk ka asnjë të dhënë. Bardhi ngriti dyshime se ai ka ikur në Kanada.
Mbledhja po vijon me parashtrimin e kërkesës nga SPAK, ndërkohë që avokatët e Ahmetajt pritet të kërkojnë që mbledhja të shtyhet për nesër, pasi edhe më herët ata kërkuan kohë për të përgatitur mbrojtjen.
Lini një Përgjigje