TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Shkurt 2025, 13:24

Primaret në PD, mbi 400 kandidatë në garë; Berisha ‘vulos’ procesin, kush favorizohet?

Shkruar nga Pamfleti

Primaret në PD, mbi 400 kandidatë në garë; Berisha

Renditjen e kandidatëve do e bëjnë pikërisht ata, çka do të thotë se në listën e mbyllur, pra 1/3 e saj, rreth 46 emra në rang kombëtar, pothuajse janë të caktuar që tani, pa nisur primaret. Duke i zbritur kësaj shifre edhe vendet që do i lihen aleatëve në atë që konsiderohet si lista e sigurtë, atëherë shifra 46 mund të reduktohet në 37-38 emra.

Në 1 mars anëtarët e PD do të votojnë për primaret, përzgjedhjen e emrave që do të garojnë për vendet në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit.

E ndërsa priten udhëzimet që do ti shpërndahen degëve lidhur me procesin, ajo që dihet deri më tani është se të drejtën e votës do e ketë çdokush që posejdon një kartë anëtarësimi të PD-së, apo ka emrin në listat e anëtarësisë së kësaj partie. Baza e listës së anëtarëve është ajo e referendumit që Berisha organizoi në 18 dhjetorit 2021, kohë kur ai iu drejtua anëtarësisë dhe u kërkonte zgjedhjen si kryetar përmes parimit ‘një anëtar, një votë’. Kësaj liste natyrisht mund të shtohen anëtarësimet që janë bërë pas kësaj date, duke kompletuar kështu një listë votuesish që do të kenë të drejtën e votës.  

Vota e anëtarëve nuk do të jetë përjashtuese, pra ata do të zgjedhin emrin e preferuar. Kandidatët për deputetë do të votohen nga anëtarët në bazë të qarqeve, ndërsa mësohet se në garën e primareve janë mbi 400 emra. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin Këshillit Kombëtar, Kryesisë së degëve apo strukturave të tjera të kësaj partie, përfshi edhe aktivistë. Madje në garën e primareve janë përfshirë të gjithë anëtarët e departamenteve të PD-së, si dhe ata që dy vjet më parë u përfshinë në primaret e orgtanizuara për kandidatë për kryebashkiakë.  

Nga primaret janë përjashtuar drejtuesit politikë të qarqeve, si dhe drejtuesit e fushatës së PD-së në rang kombëtar. Por pavarësisht se çfarë do të vendosin anëtarët e PD me votën e tyre, ajo që do të vendosë se cilët do të jenë në listën përfundimtare të kandidatëve është Kryesisë qendrore, pra Berisha dhe të besuarit e tij.

Renditjen e kandidatëve do e bëjnë pikërisht ata, çka do të thotë se në listën e mbyllur, pra 1/3 e saj, rreth 46 emra në rang kombëtar, pothuajse janë të caktuar që tani, pa nisur primaret. Duke i zbritur kësaj shifre edhe vendet që do i lihen aleatëve në atë që konsiderohet si lista e sigurtë, atëherë shifra 46 mund të reduktohet në 37-38 emra.

Dhe natyrisht në këtë kategori përfshihen 12 drejtuesit politikë të qarqeve, për të vijuar më pas me një grup deputetësh ose jo të tillë, që u shfaqën në krah të Sali Berishës që ditët e para kur u shpall ‘non grata’ nga SHBA dhe treguan besnikëri në momentet më të vështira politike të ish-Kryeministrit që nga 1997.

Me pak fjalë i gjithë procesi i primareve do të shërbejë më shumë për të përzgjedhur shumë pak emra për atë që konsiderohet lista e sigurtë, dhe më pas do të ketë vende në listën e hapur, që përbëjnë 2/3 e numrit të kandidatëve për deputet që do të depozitohen në KQZ.

Natyrisht në atë që konsiderohet ‘lista e hapur’ nuk ka rëndësi renditja, pasi gjithçka do të luhet me votën preferenciale dhe kandidatët duhet të shpresojnë që subjekti që kandidojnë të marrë vota përtej asaj që mund të konsiderohen si mandate të sigurta, pra vendet e listës së mbyllur.

Dhe në kushte të tilla duket se e gjithë loja e primareve bëhet që pjesa më e madhe e atyre që do të konsiderohen si fitues të përfshihen në listën e hapur, nga ku më pas do të nisin ‘betejën’ për të mbledhur vota jo thjesht për partinë, por edhe preferenciale për emrin e tyre. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje