
Kuvendi do të mblidhet të hënën në seancë plenare për të vijuar me rendin e ditës së të enjtes kur Parlamenti ndërpreu punimet për shkak të tensioneve të krijuara në sallë dhe një tentative të Flamur Nokës (PD) për të goditur me shishe uji Taulant Ballën, ministër i Shtetit.
Në seancën e së hënës, që pritet të nisë në orën 10:00, Kuvendi pritet të miratojë një draft të dakordësuar lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor sa i takon votës së Diasporës. Ndryshimet përfshijnë nga pagesa e postës për kthimin e votës së diasporës, numërimin e saj nga komisionerë politikë dhe afrimin e afatit më 12 mars për regjistrimin e partitive e kandidatëve.
Gjithashtu, Kuvendi pritet të votojë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, me në krye Leka Bungon dhe 9 anëtarët, Ilir Keko, Albert Minga, Dionis Papadhimitri, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani, Mevlan Shanaj, Milena Selimi dhe Ardita Reci.
Nuk dihet nëse në seancën e së hënës do të vijojnë tensionet dhe përplasjet e mbartura nga e enjtja, apo palët do të votojnë thjesht pikat e dakordësuara. Ajo që dihet deri më tani është fakti se ndryshe nga situatat e mëparshme të përplasjeve kur grupi parlamentar i PS kërkonte ndëshkime për deputetët opozitarë, për episodet e seancës së fundit, nuk ka pasur asnjë masë të kërkuar.
Lini një Përgjigje