Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka folur për synimet e opozitës me protestat dhe strategjinë e PD-së.
Korreshi tha se hajdutëria e mazhorancës ka arritur kulmin dhe deri në makutëri, duke synuar vjedhjen e çdo fondi të buxhetit apo taksat e shqiptarëve, ndaj zgjidhja e vetme mbetet rritja e presionit qytetar ndaj qeverisë me protesta dhe jo vetëm nga opozita.
“Unë mendoj se vetëm një gjë ka mbetur për të synuar. Qëllimet kryesore të opozitës me këto protesta janë dorëheqja e qeverisë, qeveria teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë farë derexheje që këta i vjedhin dhe i shpërdorojnë fondet publike, nuk ka mbetur gjë tjetër, kanë bërë gjenocid me fondet publike. Ja ashtu si ai vendi në Xhafzotaj të Durrësit, ai vendi parajsë fiskale atje që nuk ekzistonte, si Inceneratorët. Në këtë farë derexheje kanë arritur, vjedhje e makutëri, leje ndërtimi për oligarkë që i trajtojnë si ushtarë të tyre, deri edhe te vjedhja e fondeve të rrogave mund të shkojë”, tha deputeti, duke denoncuar edhe skandalet e fundit financiare.
Por a është vetëm opozita që duhet të mbajë protesta dhe sa rëndësi ka pjesëmarrja në shesh. Korreshi mendon se duhet të rritet presioni dhe këtë e bëjnë vetëm qytetarët, jo opozita, sepse nuk duhet të dilet në protesta vetëm për emrat apo partitë.
“Opozita bën detyrën e vetë që t’i thërrasë njerëzit dhe t’i ftojë të bëhen pjesë. Por mendoj se presioni më i madh duhet të vijë nga qytetarët dhe jo opozita. Në dorë e kanë njerëzit ta rrëzojnë qeverinë, sa më i madh presioni qytetar dhe trysnia, aq më pak rri në qeveri kjo lloj hajdutërie. Nëse njerëzit nuk çohen për veten e vetë, sepse është edhe ana ekonomike, kështu që të dalin për veten e vetë dhe jo për emra të veçantë apo për ne”, nënvizoi deputeti demokrat.
Por cila do të jetë strategjia e mëtejshme dhe hapat që do të ndiqen?
“Janë diskutuar në Kryesi, unë nuk jam pjesë e saj. Ne do kemi sot ose nesër një mbledhje të grupit parlamentar. Do kemi edhe presion në Parlament ku kemi tagrin për presion, përveç protestave në shesh dhe besoj e shpresoj të mbështetemi edhe nga njerëzit. Po abuzohet me njerëzit dhe bukën e kalamajve të tyre ndaj duhet ta vëmë në binarë politikën dhe këtë situatë”, përfundoi Korreshi në “News 24".
Lini një Përgjigje