TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Janar 2026, 09:43

Kush e financoi Kuvendin e Rithemelimit të PD? SPAK merr në pyetje një tjetër zyrtar të Berishës

Shkruar nga Pamfleti
Kush e financoi Kuvendin e Rithemelimit të PD? SPAK merr në pyetje
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i PD në 2021

Kush e financoi Kuvendin e Rithemelimitt ë Partisë Demokratike në 11 dhjetor 2021? Kjo është çështja që SPAK po heton në kuadër të një hetimi të thelluar pasuror ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij. Hetimet po drejtohen nga Prokurori Arben Kraja, ndërsa një ditë më parë në pyetje u mor deputeti Belind Këlliçi.

Ndërkohë sot në SPAK është paraqitur Indrit Hoxha, Sekretar për Diasporën, dhe një nga emrat që 5 vite më parë u shfaq në krah të Sali Berishës, teksa ky i fundit nisi një “operacion” për t’I marrë drejtimin e partisë Lulzim Bashës, pasi ky i fundit pranoi kërkesën e amerikanëve për të përjashtuar ish-Kryeministrin nga Grupi Parlamentar, pas shpalljes “non grata”.

Hoxha, ashtu si Këlliçi, pyetet me cilësinë e personit që mund të ketë dijeni lidhur me shpenzimet dhe kush i ka mbuluar ato, ndërsa në rradhë për tu pyetur janë edhe Flamur Noka dhe Albana Vokshi. Por lista vijon me emra të tjerë funksionarësh demokratë që në dhjetor 2021 u shfaqën si organizatorë ose që ishin pjesë e Komisionit të Rithemelimit.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm, sikundër u cilësua në atë kohë, u mbajt në stadiumin “Air Albania”, sikundër emërtohej në atë kohë stadium kombëtar, dhe dukej se ky vend u zgjodh për të treguar forcën që Sali Berisha kishte në raport me Lulzim Bashën, sa i takon anëtarësisë së PD-së.

Mbi 10 mijë anëtarë, sikundër raportohej në atë kohë nga Rithemelimi, u mblodhën në stadium për të vendosur shkarkimin e Lulzim Bashës si Kryetar i PD-së dhe zgjedhjen e Sali Berishës. Shfaqja pompoze, në një mënyrë ose një tjetër, tregoi gjithashtu edhe fuqinë e Berishës jo thjesht në raport me numrin e anëtarëve, por edhe me mënyrën se si ai kishte vendosur të rikthehej aktivisht në krye të PD-së.

Përmes një spektakli, duke sfiduar edhe temperaturat e acarta të 5 viteve më parë, asnjë nga organizatorët nuk kishte menduar se do të vinte një ditë, kur SPAK do të hetonte edhe mbi atë se kush e sponsorizoi aktivitetin apo nga buruan fondet për organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

Zyrtarisht Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha nuk deklaroi asnjë shifër se sa kushtoi ky aktivitet, edhe pse u premtua se gjithçka do të bëhej publike, ndërsa akuzohej Lulzim Basha se nuk kishte treguar transparencë për mënyrën se si kishte administruar fondet që PD merrte nga buxheti i shtetit.

Në atë kohë pati akuza të ndërsjellëta dhe si për ironi një pjesë e atyre që dikur akuzonin njëri-tjetrin pikërisht për fondet apo falsifikime vulash e firmash sot janë në një grupim, në një parti duke ndarë postet.

 

berisha spak kuvendi

Lini një Përgjigje