TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Maj 2026, 14:50

“Po e ktheni shtetin në OJF”/ Përplasje e fortë në Kuvend, Zhupa debaton me Kumbaron për privatizimin e arsimit

Shkruar nga Pamfleti
“Po e ktheni shtetin në OJF”/ Përplasje e fortë
Zhupa-Kumbaro

Gjatë interpelancës me ministren e Arsimit, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ngriti akuza lidhur me funksionimin e Agjencisë së Shërbimeve Arsimore, duke pretenduar se institucioni publik po kalon gradualisht në duart e sektorit privat.

Sipas Zhupës, nuk ekziston një marrëveshje e drejtpërdrejtë me Universitetin e Kembrixhit, por vetëm me një organizatë partnere të lidhur me të.

“Po paraqitet sikur ka marrëveshje me Universitetin e Kembrixhit, por në fakt bëhet fjalë për një organizatë të quajtur Cambridge Partners, që nuk është vetë universiteti. Si mund të mbrohet interesi publik kur një institucion shtetëror kthehet në korporatë dhe i jepet privatit?”, deklaroi Zhupa.

Nga ana tjetër, ministrja Mirela Kumbaro i kundërshtoi akuzat, duke theksuar se Agjencia e Shërbimeve Arsimore mbetet institucion publik dhe se Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka vetëm rol mbështetës dhe teknik në këtë proces.

Kumbaro kujtoi se bashkëpunimi me AADF ka nisur prej vitesh dhe është mbështetur edhe nga qeveri të mëparshme, ndërsa sipas saj synimi mbetet modernizimi i proceseve dhe rritja e standardeve në sistemin arsimor.

“Agjencia do të vazhdojë të kontrollohet nga shteti shqiptar dhe institucionet audituese. AADF nuk merr në dorë shërbimet dhe nuk përfiton fonde publike. Roli i saj është vetëm lehtësues për bashkëpunimin me Qendrën e Vlerësimeve të Kembrixhit”, u shpreh ministrja.

Debati mes palëve u tensionua më tej, pasi Zhupa deklaroi se organizimi i provimeve shtetërore po i besohet sektorit privat, duke e konsideruar këtë praktikë të papranueshme për standardet europiane.

“A ka një vend në Europë ku provimet e maturës organizohen nga privatët? Po e ktheni shtetin në OJF dhe po delegoni funksione publike sipas dëshirës”, tha deputetja demokrate.

Në reagimin e saj përfundimtar, ministrja Kumbaro i cilësoi pretendimet si “të pavërteta”, duke këmbëngulur se ligji nuk parashikon privatizim të shërbimeve dhe as transferim fondesh publike drejt AADF-së.

“Kjo agjenci do të jetë një histori suksesi dhe koha do ta tregojë”, deklaroi ministrja.

Lini një Përgjigje