Në Kuvend është zhvilluar një debat mes deputetit socialist Erion Braçe dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me ndotjen e lumenjve në Tiranë dhe vonesat në projektet për sistemin e kanalizimeve.
Gjatë fjalës së tij, Braçe ngriti shqetësimin për gjendjen mjedisore në kryeqytet, duke paralajmëruar për përkeqësim të situatës gjatë muajve të verës, për shkak të temperaturave të larta, mungesës së reshjeve dhe uljes së prurjeve të lumenjve.
“Tirana po hyn në javën dhe muajt ku qelbet erë”, tha ai.
Deputeti socialist iu referua edhe një shkrese të UKT-së, sipas së cilës ujërat e ndotura vijojnë të derdhen në lumenjtë e Tiranës.
“Ujëra të ndotura, siç më bën me dije UKT përmes kësaj letre, derdhen në lumenjtë e Tiranës, e pranojnë botërisht, në Lanë dhe lumin e Tiranës, me gjasë edhe në Erzen”, tha Braçe.
Ai kritikoi gjithashtu zhvillimin urban në kryeqytet, duke theksuar se infrastruktura aktuale nuk po përballon ritmin e ndërtimeve të reja.
“Asnjë metër volum i ri në rrjet s’po shtohet, asnjë impiant për përpunimin e ujërave nuk është ndërtuar për të shoqëruar ndërtimet e reja”, deklaroi Braçe, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se ku do të shkarkohen ujërat e ndotura të zonave të reja si Lagjja nr.13 dhe Bulevardi i Ri.
Nga ana tjetër, ministri Enea Karakaçi deklaroi se projekti për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve përbën një investim strategjik për mjedisin dhe cilësinë e jetesës në Tiranë, por zbatimi i tij është përballur me vonesa për shkak të problematikave me kontraktorët.
Sipas ministrit, projekti financohet përmes një marrëveshjeje huaje me Bankën Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe ka një vlerë prej rreth 61 milionë eurosh.
Ai bëri të ditur se projekti parashikon ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar, si dhe kolektorëve kryesorë që do të transportojnë ujërat nga zona të ndryshme të Tiranës drejt impiantit.
"Parashikohet ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar, me kapacitet prej mbi 94 mijë metrash kub në ditë. Një komponent është ndërtimi i kolektorit kryesor për transportimin e ujërave të ndotura nga Pallati me Shigjeta deri në impiant, me gjatësi rreth 4.2 km dhe kapacitet prej 2.27 metrash kub për sekondë. Projekti përfshin edhe ndërtimin e kolektorit të ri të ujërave nga Ura e Shkozës deri te Pallati me Shigjeta, me qëllim menaxhimin e shkarkimeve të Lanës dhe përmirësimin e ndotjes urbane.
Implementimi filloi para vitit 2016 me afat prej 36 muajsh, por pas disa problemeve serioze afati u shty me 52 muaj deri më 6 tetor 2018. Po atë vit kontrata u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga autoriteti kontraktor pas një auditimi të Ministrisë së Infrastrukturës. Ministria ka marrë masa për të rivitalizuar kontratën. Aktualisht jemi në fazën që konsulenti ka përfunduar rishikimin e projektit dhe ka hartuar projektin e ri teknik. Shumë shpejt pritet fillimi i procedurës konkurruese”, tha Karakaçi.
Brace, bravo per kurajon e vonuar! Turp per keta shkerdhatat e tjere qe rrine e bejne sehir ne kafe dhe mbushin xhepat ne fund muaji duke shenuar edhe kuponat e pasaportave! Nje mut gje do rregullohet se keta e bene detin kos, dhe dolen te gjithe bashke me ate lugen qe kishin te lidhur ne breket e grisura para se te hynin ne çeten e partise! Gazetare, pyesni pak per aeroportin e Vlores se inxhinieret thone qe vazhdon zhytja si ne Durres