TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Maj 2026, 13:30

BE i jep dritën jeshile IBAR-it, ambasadorët e vendeve anëtare vendosin nesër për Shqipërinë

Shkruar nga Pamfleti

Miratimi i IBAR-it konsiderohet një nga etapat kryesore për kalimin në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave, i cili është bllokuar pas skandaleve të korrupsionit të qeverisë Rama.

BE i jep dritën jeshile IBAR-it, ambasadorët e vendeve anëtare
Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa me kryeministrin Edi Rama në Bruksel, Belgjikë, më 9 shkurt 2026/ Getty Images

Grupi i Punës për Zgjerimin në Bashkimin Europian, COELA, ka miratuar draftin e përbashkët për IBAR-in, raportin e vlerësimit të pikave të ndërmjetme për progresin e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim në BE.

Marrëveshja mes 27 vendeve anëtare pritet të kalojë nesër për miratim në COREPER, në mbledhjen e ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian.

Lajmi u bë publik fillimisht nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili tha se Shqipëria po mbyll një javë të rëndësishme për procesin e integrimit europian.

“Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës BE, në respekt të procedurave burokratike, kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër, ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore të përfshira në këtë proces të adresimit të piketave të ndërmjetme”, deklaroi Balla.

Miratimi i pozicionit të përbashkët në COELA është konfirmuar edhe nga burime pranë Këshillit të BE-së, raportojnë mediat proqeveritare.

Pas kalimit në COREPER, hapi i radhës do të jetë Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE më 26 maj, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Kjo fazë konsiderohet vendimtare për avancimin e mëtejshëm të negociatave dhe procesin e mbylljes së grupkapitujve.

Komisioni Europian u kishte dorëzuar vendeve anëtare në fund të shkurtit raportin për ecurinë e Shqipërisë në përmbushjen e piketave të ndërmjetme, që lidhen kryesisht me sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi. Vlerësimi i Komisionit ishte pozitiv.

Procesi i shqyrtimit në COELA u shoqërua me diskutime dhe dyshime në politikën shqiptare, sidomos nga opozita, e cila ngriti pretendime për vonesa apo rrezik të ngrirjes së negociatave, duke e lidhur këtë edhe me çështjen e mosarrestimit të Belinda Ballukut nga SPAK.

Miratimi i IBAR-it konsiderohet një nga etapat kryesore për kalimin në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave, i cili është bllokuar pas skandaleve të korrupsionit të qeverisë Rama.

 

be i jep dritën jeshile ibar-it ambasadorët e vendeve anëtare vendosin nesër

Lini një Përgjigje