Rama në fotot që ka publikuar shihet që mban një dosje me dokumente me vete. Pra nuk ka qenë takim kortezie...
Nga gjithë liderët pjesëmarrës në Samitin e OKB, kryeministri Edi Rama ka arritur të "kapë" një takim vetëm me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
Rama po merr pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe sikundër u lajmërua në mëngjes, ai pati një takim të 'ngrohtë' me presidentin turk dhe stafin e tij. I vetmit detaj i bërë publik është se ata u takuan në Turkevi, qendrën diplomatike turke në metropolin amerikan. “New York - Me Presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan”, shkruan Rama.
Ajo që ra në sy është se takimi ka qenë jo thjesht kortezi, pasi stafet e të dyja palëve ishin me dosje me vete. Madje dhe kryeministri Rama në fotot që ka publikuar shihet që mban një dosje me dokumente me vete. Pra me gjasë është folur për marrëveshje dhe çështje konkrete.

Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që pjesë e bisedës të kenë qenë ato gjëra që kanë shqetësuar gjithmonë Erdoganin, siç janë lufta ndaj gylenistëve, xhamia e Namasgjasë, por dhe industria ushtarake.

Në gusht, Rama dhe Erdogan patën një telefonatë mes tyre dhe mesazhi ishte i qartë: Ankarja kërkon “kokat” e gylenistëve.
“Udhëheqësi turk iu referua përpjekjeve zhgënjyese të Organizatës Terroriste Fetulla (FETO) për të fituar një terren në Shqipëri, duke shprehur besimin se vendi ballkanik do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët e tij arsimor, shëndetësor dhe fetar”, thuhej në lajmin e televizionit TRT.
Sipas informacioneve, Edrdogan kërkon gjithashtu larimin nga kreu i KMSH, të Bujar Spahiut, pasi edhe atë e cilësojnë gylenist. Për shkak të prezencë së tij në krye të KMSH, Erdogan refuzon të inaugurojë dhe xhaminë e Namasgjasë.
Nuk përjashtohet që të jetë folur dhe për çështje ushtarake. Qeveria do të zhvillojë industrinë ushtarake dhe ka zëra se do futet kompania që prodhon dronët e famshëm Byraktar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje