Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me rritjen e fundit të pensioneve me 4.1%
Tabaku tha se me rritjen e fundit, pensionistet mund të blejnë vetëm një pako oriz, një pako makarona dhe qumësht. Teksa vuri theksin tek rritja e çmimeve të produkteve ushqimore me rreth 30%, Tabaku u shpreh se me shtesën e pensioneve sërish nuk mund të përballohet jetesa.
“Shikoni se çfarë mund të blejë një pensionist me 800 lekëshin e propaganduar të rritjes së pensioneve: një pako oriz, një pako makarona dhe një shishe qumësht. Të tre produkte shqiptare me çmime shumë të ulëta në treg. Tani, a mund të jetojë një familje me dy pensionistë dhe kosto shëndetësore, kur çmimet mesatarisht janë rritur me 30%, me këtë shtesë prej 800 lekësh në muaj, që mbulon minimalen e produkteve? A mund të mbijetojë një familje që sot varet nga remitancat, nga të ardhurat që vijnë nga jashtë, që janë bërë burimi kryesor i të ardhurave?
Po këta 750 mijë pensionistë që prisnin përmbushjen e premtimeve socialiste për rritjen e pensioneve? Shikoni çfarë ka ndodhur me pagat dhe pensionet gjatë këtyre 11 viteve. Për herë të parë në këtë periudhë 30-vjeçare të tranzicionit, pagat dhe pensionet kanë rënie reale, sepse sot kemi një krizë të familjes, një krizë të buxheteve familjare.
Kjo krizë vjen nga rritja e çmimeve të produkteve, por gjithashtu është rezultat i rënies së të ardhurave të disponueshme. Kemi tregje pa konkurrencë që nuk kontrollohen dhe minimum të mbrojtjes së konsumatorit, gjë që reflekton krizën e familjeve shqiptare. Këtë sistem duhet ta ndryshojmë. Një sistem ku qeveria u shërben shumicës dhe jo pakicës”, tha Tabaku në reagim.
Lini një Përgjigje