
Kreu i grupit të opozitës, Gazment Bardhi është përplasur me ish-ministren e Jashtme, Olta Xhaçka jashtë derës së Kuvendit.
Teksa Xhaçka ka tentuar të hyjë brenda sallës së Parlamentit, Gazment Bardhi nuk e ka lejuar të futet.
Kjo situatë ka nxitur tensione mes tyre, ku Olta Xhaçka iu është drejtuar Gazment Bardhit duke i thënë “o legen, o burracak”.
Pjesë nga debati:
Bardhi: Hajdutët hyjnë brenda, të ndershmit rrinë jashtë. Shko jep llogari për pronat që ke vjedhur.
Xhaçka: Ik andej
Bardhi: Nuk është kështu. As me investime strategjike as me fondet e AZHBR-së. Përgjigjen do ta japësh në SPAK. Shumë shpejt.
Xhaçka: Dil këtej more
Bardhi: Jo nuk është hyrja kështu, që hajdutët brenda, të ndershmit jashtë
Xhaçka: E di unë si e kërkon përgjigjen ti
Bardhi: Pa hë njëherë? Përgjigjen do ta japësh në SPAK ti shumë shpejt.
Xhaçka: O legen, o burracak.
Bardhi: Shumë shpejt do e japësh në SPAK, bëj gati ato kyçat e dorës, shumë shpejt.
Kujtojmë se ditën e sotme deputetët e përjashtuar të opozitës janë përplasur me punonjësit e gardës para ambienteve të Kuvendit dhe kanë tentuar që të futen brenda me forcë.
Gazment Bardhi dhe deputetët e tjerë janë përplasur me Gardën, që po qëndron në hyrje të godinës së Kuvendit.
Si gjithmonë protagonisti kryesor ishte Flamur Noka, i cili theu edhe xhamat e derës së Kuvendit, teksa po përplasej fizikisht me Gardën.
Teksa deputetët e tij përplaseshin me Gardën, ish-kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga besniku i tij Edi Paloka po mbikyqyrnin situatën nga larg.
Në seancën e sotme plenare parashikohet të miratohet edhe ndryshimi i rregullores në Parlament, që rrit deri në 60 ditë ditët e përjashtimit për deputetët të cilët shkelin rregulloren e Kuvendit.
Risjellim në vëmendje se me akuzën për përfitim pasurie me falsifikim të dokumenteve zyrtare, SPAK ka sekuestruar 5512 m2 truall në bregdetin e Himarës, që i posedon biznesmeni Artan Gaçi, ish-deputet socialist dhe bashkëshorti aktual i deputetes e ish-ministres Olta Xhaçka.
Mbi atë sipërfaqe, që sipas letrave është në pronësi të tij, dhe mbi një sipërfaqe tjetër 4970 m2 të dhuruara nga qeveria, burri i ish-ministres Olta Xhaçka ka filluar ndërtimin e një resorti bregdetar të quajtur “Dreamades Luxury Suites”, pajisur me statusin “Investitor Strategjik”.
Tashmë, SPAK i ka sekuestruar sipërfaqen 5512 m2 truall, ku sipas projektit të resortit është përcaktuar të ndërtohet hoteli i çiftit qeveritar Xhaçka- Gaçi, madje hetuesit e BKH, kanë konstatuar se janë hedhur themelet dhe ka filluar ngritja e objektit.
Referuar ligjit dhe rasteve të tjera identike, rezulton se vendimi SPAK është i njëanshëm e me dy standarde, në favor të burrit të Olta Xhaçkës dhe të saj si bashkëpronare investitore strategjike.
Së pari, sepse SPAK nuk ka vendosur sekuestro të truallit me masë ndalimi fizik punimesh në formë “Sigurimi padie” me bllokim aktiviteti, por ka vendosur vetëm sekuestro në letër.
Së dyti, SPAK ka vendosur vetëm sekuestro mbi truallin, kur sipas Kodit të Procedurës Penale, në rastet e dyshimit të arsyeshme të kryerjes së veprës penale, fillimisht duheshin bërë dy akte:
- Procedimi penal, marrja “I pandehur” dhe masa penale “Arrest me burg” për Artan Gaçin, pastaj vendosja e sekuestros së tokës që dyshohet se është me dokumente false dhe mund të jetë blerë me burime nga korrupsioni, ose nga trafiku.
Mos marrja e tij “I pandehur”, mos prangosja dhe mos heqja e pasaportës diplomatike që e ka marrë si bashkëshort i ish-ministres Olta Xhaçka, është qëndrim me dy standarde, nga drejtuesi dhe prokurorët e SPAK që po hetojnë grabitjen e 5512 m2 truall buzë detit në Himarë prej tij.
Lini një Përgjigje