
Analisti Ilir Demaliaj u shpreh se edhe nëse zgjedhjet bëhen të rregullta, sërish Partia Demokratike nuk do të regjistrojë fitore të madhe. Demaliaj tha se Sali Berisha nëse hyn në zgjedhjet e 14 majit me kandidatët e tij, mund të fitojë 10 bashki.
Sipas Demaliajt, qytetarët e kanë humbur besimin te politikanët.
“Unë mendoj që Partia Demokratike, në çdo variant është e humbur. Unë nuk besoj, ashtu siç thotë Berisha që do të vijë uragani popullor, se edhe po të bëhen zgjedhjet edhe në mënyrë normale, Partia Demokratike nuk do të dalë ndonjë fituese e madhe. Gjendja sot, ka humbur besimi, kanë një lloj neverie njerëzit, sepse njerëzit shohin. Unë kam thënë që Partia Demokratike, në këtë gjendje që është mund të marrë 10 bashki. Por nuk ka forcë, nuk ngjall shpresë”, theksoi ai për Euronews Albania.
Në mbledhjen e zhvilluar në 9 mars, gjatë shqyrtimit të kërkesave të grupimit të Berishës dhe të Alibeajt për t'u regjistruar në zgjedhje, KQZ vendosi të mos i pranojë të dyja. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua për shkak se Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha. Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhet firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë.
Lini një Përgjigje