TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Maj 2025, 18:24

Nuk i dalin llogaritë, Rama i turret kryebashkiakut të Vaut të Dejës: Mos luaj me dy porta

Shkruar nga Pamfleti

Nuk i dalin llogaritë, Rama i turret kryebashkiakut të Vaut të

Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i PS-së, ishte sot në Shkodër, ku zhvilloi takimet elektorale në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.

Përtej premtimeve e batutave në drejtim të Sali Berishës dhe partive të reja, që i krahasoi me moçale, këneta, zhaba e bufa, Edi Rama ka piketuar Kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristian Shkrelit.

"Mos luaj me dy porta Kristian", i drejtohet Rama, në distancë.

Nga video që qarkullon duket se paralajmërimi i Ramës ka kapur të papërgatitur kryebashkiakun e Vaut të Dejës, që duket se është hutuar nga mënyra se si Kryeministri i është drejtuar.

Shkreli prej dy vitesh drejton Bashkinë e Vaut të Dejës si i zgjedhur i socialistëve.

Gjatë fjalës së tij, Rama nuk kurseu shigjetimet edhe në drejtim të PSD-së, këshilltarët e së cilës, nuk votuan lidhur me plazhet në Velipojë.

Pavarësisht deklaratave publike të bëra disa ditë më parë nga Tom Doshi se votat e deputetëve të PSD do të jenë në krah të PS-së në Kuvend, duket se Rama nuk gëlltit dot faktin që qeverisja e tij të varet nga votat apo mandatet e Doshit.

Në disa raste, gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, ka pasur përplasje mes Doshit dhe disa figurave të PS-së, ndërsa kreu i PSD i akuzon se po i largojnë mbështetësit nga postet që mbajnë në administratë.

Edhe pse kjo ‘përplasje’ është konsideruar si një lojë që po bëhet, duket se Edi Rama nuk do të tolerojë që të zgjedhur të tij vendorë të punojnë për PSD-në, qoftë kjo edhe aleate e PS-së. Në hapjen e fushatës Benet Beci premtoi se nga Qarku i Shkodrës do të ketë një rezultat surprizë, pra më shumë mandate se zgjedhjet e 2021, ku socialistët morën 5 deputetë. Tashmë duhet parë nëse ky objektiv i ri i socialistëve të Ramës do të mund të arrihet apo jo. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje