Kryeministri Edi Rama tha sot në konferencën e fundvitit me mediat, se vitin e ardhshëm sektori i shëndetësisë do të zërë një vend të veçantë në buxhetin e shtetit dhe në planet e qeverisë.
Ai deklaroi se do të ketë një fond shtesë me 15 mln euro për Onkologjikun dhe sëmundjet kanceroze, teksa shton se për pacientët me këtë sëmundje vrasëse do të ketë edhe rimbursim medikamentesh.
Edi Rama po tenton të krijojë imazhin e një shërbimi shëndetësor që, sipas tij, po ecën drejt standardeve të larta. Realiteti që pacientët përjetojnë çdo ditë në Onkologjik e rrëzon këtë narrativë. Ky spital vijon të mbetet simbol i dështimit shtetëror në shëndetësi, me mungesa të vazhdueshme ilaçesh, kushte degraduese dhe trajtim që cenon dinjitetin njerëzor.
“Parashikohet rritje e pagave të mjekëve dhe infermierëve, sikurse dhe rritje e shpërblimit të tyre sipas punës. Në tërësi parashikohet që paga për ta sipas kategorive të rritet 135 euro në muaj. Po kështu njohja e vjetërsisë së punës dhe vlerësimi i saj. Gjithashtu edhe në shërbimin e trajtimit mjekësor dhe medikamente, pasi kanceri është bërë agresiv dhe po vret më shumë. Kemi dhënë 15 mln euro më shumë për këtë kategori te Onkologjiku dhe po vijohet më tej për të rritur kapacitetet e shërbimit. Po kështu edhe projektet e tjera, si transplante për gjirin dhe për pacientet gra”, tha sot kryeministri.
Lini një Përgjigje