
Dhe në tavolinë do të jenë opsionet që 3 negociatorët kanë diskutuar me aleatë të natyrshëm ose jo, por pa përjashtuar surpriza të minutës së fundit...
Flamur Noka, Ilir Alimehmeti dhe Belind Këlliçi prej disa ditësh po luajnë rolin e negociatorëve me parti të cilësuara si opozitare apo anti-sistem në funksion të gjetjes së një kandidature të pranuar nga të gjitha palët që do të hyjë në garën për Kryebashkiak të Tiranës.
Nga negociatat është përjashtuar vetëm Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë, teksa demokratët e konsiderojnë një ekstremist të majtë, ndërsa ai shprehet se nuk bashkëpunon me të korruptuar.
Të tjerët në negociata, përfshi “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapaj dhe “Mundësia” e Agron Shehaj, kanë arritur t’I imponohen negociatorëve që të pranojnë një kandidat jo politik, ose jo pjesë të PD-së.
Madje janë publikuar edhe 3 emra: Edlira Çepani, bashkëshortja e ish-deputetit të ndjerë, Gerti Bogdani, Ermal Hasimja, ish-Drejtor Komunikimi i Sali Berishës në 2005-ën, dhe i dorëhequr muaj më pas me pretendimin se do të ndiqte studimet në Francë, si dhe Florian Hackaj nga ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’. Lidhja e vetme e tij me PD-në, nëse mund të merret në konsideratë është se ai është nipi i Halim Kosovës, mjekut të njohur, i cili në 2015 garoi për postin e Kryebashkiakut të Tiranës.
Në deklaratat publike, Lapaj e Shehaj kanë kushtëzuar mbështetjen me faktin se ai duhet të jetë jopolitik, gjë që duket se është pranuar në parim nga negociatorët e mandatuar nga Berisha. Por në fund, duket se do të jetë kreu demokrat që do të vendosë.
Deri më tani PD, përmes negociatorëve, ka pranuar imponimin nga Lapaj dhe Shehak. Këta të fundit janë deklaruar se nëse kandidati nuk do të jetë jopolitik, sikundër do të përcaktohet në një marrëveshje mes palëve, ata do të dalin me kandidatët e tyre.
Në anën tjetër të vetmit emra që qarkullojnë si kandidatë në emër të PD-së janë figura politike, me apo pa kusure në kurriz, që deklarojnë se marrin përsipër të garojnë. Edhe pse nga negociatorët pohohet se edhe ata kanë emrat e tyre nga shoqëria civile apo stafet akademike, deri më tani nuk ka qarkulluar ndonjë emër konkret.
Nga emrat e publikuar si figura jopolitikë, dy prej tyre, Hasimja dhe Hackaj, janë shprehur të gatshëm të kandidojnë, edhe pse kanë paraqitur pak kushtëzime në raport me PD-në, edhe pse ajo është partia më e madhe në grupimin opozitar, pa mbështetjen e të cilës, asnjë prej emrave që qarkullojnë nuk do të kishte shans për të fituar, me sistemin dhe skemat zgjedhore që aplikohen në Shqipëri.
Berisha pritet të mbledhë strukturat drejtuese, Kryesinë dhe Grupin Parlamentar, më pas ndoshta edhe Këshillin Kombëtar, dhe ndoshta deri mbrëmjen e së hënës, me apo pa aleatë, do të ketë një kandidat që do të synojë Bashkinë e Tiranës.
Dhe në tavolinë do të jenë opsionet që 3 negociatorët kanë diskutuar me aleatë të natyrshëm ose jo, por pa përjashtuar surpriza të minutës së fundit. Sot asnjë nga të mandatuarit e Berishës nuk janë në gjendje të pohojnë se shefi i tyre politik nuk ka një “as nën mëngë”, një kandidat edhe jopolitik, që mund të hidhet si suprizë në momentet e fundit, duke vënë në provë të gjithë ata që kërkojnë një të tillë dhe kushtëzojnë mbështetjen.
Politika në Shqipëri ka treguar se zakonisht emrat që përfliten dhe komentohen më shumë digjen të parët. Në rastin konkret, ndoshta edhe për efekt kohe, mund të mos aplikohet ky ‘parim’, por duket po aq e vështirë të besohet edhe skema që Berishës mund t’i imponohen rregulla nga aleatë, qoftë si emra ashtu edhe si profile.
Ndaj dhe nuk përjashtohet opsioni që kreu demokrat mund të pranojë kushtin për një kandidat jopolitik, por jo emra të imponuar. Nëse do të pranonte të dyja, mund të gjendej përballë një presioni nga të tijët pavarësisht masës, ndërsa do të përballej me komentet për një ‘kapitullim’ duke pranuar imponimet. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje