Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale me akuza të drejtpërdrejta ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha.
Në postimin e publikuar, ai akuzon Berishën për mungesë transparence në lidhje me çështje të rëndësishme që kërkojnë sqarim publik.
Salianji postoi një pjesë të dosjes Agasi-Beqiri, dhe hodhi dyshime mbi heshtjen e tij për mospërmendjen e Ermal Beqirit.
Ai i bën thirrje Berishës të publikojë të plotë dosjen e Ermal Beqirit, biznesmenin e shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, duke ngritur dyshime se heshtja ndaj këtij të fundit mund të lidhet me përfitime të mundshme.
“Sali kolltuku, je tmerruar sepse po humb privilegjet. Lëri llafet si llaxor lagjeje dhe dil, nëse ke guxim, publiko dosjet. Ja ku i ke, fakte jo haluçinacione prej frikës!
Sepse faktet janë kokëforta. Ja ku e ke një pjesë të dosjes Agasi–Beqiri: Në dokumente rezulton se shtetasja gjermane M.Sh. është kërcënuar se kishte hyrë në një “pishinë peshkaqenësh” dhe për këtë i është kërkuar të paguajë fillimisht 1 milion euro. Ky nuk është opinion, është vendim gjykate.
Po ti pse hesht?
A ke marrë ndonjë “llokmë” që nuk e përmend asnjëherë Ermal Beqirin? Apo të mungon guximi?
Sepse kur përballesh me të vërtetën, zhduket trimëria e rreme. Ja ku e ke dosjen. Publikoje të plotë, nëse nuk ke frikë. Sali kolltuku, për një karrige po bëhesh qesharak, po kthehesh ne Sali fatkeqesia jo vetem per demokratet por per gjithe shoqerine!
Po kthehesh në simbol të kapjes dhe degradimit, jo vetëm për demokratët, por për gjithë shoqërinë.
Por ke harruar një gjë, mua nuk më ble dhe as kërcenon dot askush, as ti! Demokratët nuk janë dele. Janë guximtarë. Dhe këtë regjim Rama–Berisha do ta çmontojmë, pjesë-pjesë", u shpreh Salianji.

Lini një Përgjigje