Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar këtë të martë, më 5 maj, duke dënuar sulmet e fundit me raketa dhe dronë të Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas deklaratës zyrtare, këto sulme cilësohen si një akt agresioni i paprovokuar ndaj infrastrukturës kritike, duke theksuar se objektet energjetike janë vënë në shënjestër në mënyrë të përsëritur dhe të rrezikshme.
Shqipëria e konsideron këtë veprim një shkelje të rëndë të sovranitetit dhe të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa shpreh solidaritet të plotë me Emiratet e Bashkuara Arabe, udhëheqjen dhe popullin e saj. Mbështetja shtrihet gjithashtu edhe ndaj partnerëve në rajonin e Lindjes së Mesme.
Ministria thekson se sulme të tilla përbëjnë rrezik serioz për stabilitetin rajonal dhe se tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e Evropës. Në këtë kontekst, bëhet thirrje për përmbajtje dhe ulje të menjëhershme të tensioneve, si dhe për rikthim te zgjidhjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.
"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë sulmet më të fundit me raketa dhe dronë të ndërmarra nga Irani kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat u vunë sërish në shënjestër të një agresioni të egër. Këto goditje të paprovokuara ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë objektet energjetike, përbëjnë një shkelje të qartë të sovranitetit dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë dhe të palëkundur me #EBA, udhëheqjen e saj dhe popullin e Emirateve, si edhe me partnerët tanë në të gjithë Lindjen e Mesme.
Sulme të tilla janë të papranueshme dhe rrezikojnë më tej stabilitetin rajonal. Siguria në Lindjen e Mesme ka implikime të drejtpërdrejta për #Evropën dhe më gjerë. Prandaj, bëjmë thirrje për përmbajtje, ulje tensionesh dhe një angazhim të ripërtërirë ndaj zgjidhjeve diplomatike.
Shqipëria do të vijojë të punojë ngushtë me partnerët e saj për të promovuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.", thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Lini një Përgjigje