TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Maj 2026, 14:15

"Shqipëria ka opozitë të vërtetë", Berisha sulmon Ramën: Bishë e plagosur, nuk e merr më veten kurrë

Shkruar nga Pamfleti
"Shqipëria ka opozitë të vërtetë", Berisha
Berisha-Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “një bishë të plagosur” që, sipas tij, “nuk e merr më veten kurrë”.

Në një deklaratë pas një konference për shtyp, Berisha theksoi se situata politike në vend është rezultat i qëndresës së opozitës, të cilën e konsideroi si faktor kyç në denoncimin e problematikave dhe në rritjen e presionit ndaj qeverisë.

“Të gjitha këto do të ishin të pamundura pa zërin tonë, pa qëndresën tonë. Do ishin inekzistente në qoftë se ne pranonim një rol fasadë. Të gjitha këto faktojnë që ne jemi shpresa e vetme për këtë vend.

Po vij tani nga konferenca e shtypit me gazetarët dhe bisha është plagosur, këtë mund t’u them. Edi Rama është një bishë e plagosur, nuk e merr më veten kurrë.”, u shpreh Berisha.

Berisha argumentoi se sipas tij, qeveria aktuale mbahet në këmbë vetëm nëse opozita tërhiqet, gjë që ai e përjashtoi kategorikisht.

“Edi Rama është i plagosur, nuk shërohet më kurrë. Shqiptarët duhet ta dinë mirë. Ai mbijeton vetëm në qoftë se ne e falim dhe e kursejmë. Por ne nuk do e bëjmë këtë kurrë”, deklaroi ai.

Në të njëjtën kohë, kreu i PD u ndal edhe te roli i komunitetit ndërkombëtar, duke përmendur vizitat e fundit të misioneve faktmbledhëse nga Parlamenti Europian. Sipas tij, këto misione kanë konfirmuar problematikat e ngritura nga opozita dhe kanë reflektuar kritika ndaj qeverisë në raportet e tyre.

Berisha e cilësoi këtë si një arritje të opozitës, duke theksuar se raportet ndërkombëtare, sipas tij, pasqyrojnë në mënyrë kritike situatën në Shqipëri dhe rolin e qeverisë.

Deklarata e Berishës:

Të gjitha këto do të ishin të pamundura pa zërin tonë, pa qëndresën tonë. Do ishin inekzistente në qoftë se ne pranonim një rol fasadë. Të gjitha këto faktojnë që ne jemi shpresa e vetme për këtë vend. Të gjitha këto janë një frymëzim dhe obligim për ne për të vazhduar me vendosmërinë më të madhe qëndresën tonë. Për të qëndruar të pamposhtur. Po vij tani nga konferenca e shtypit me gazetarët dhe bisha është plagosur, këtë mund t’u them. Edi Rama është një bishë e plagosur, nuk e merr më veten kurrë. Dhe kjo sepse Shqipëria ka opozitë të vërtetë. Kjo nuk do ndodhte kurrë pa një opozitë të vërtetë në Shqipëri.

Pa një opozitë të vërtetë në Shqipëri, mospëlqimet do shpreheshin se këtë moral kanë shqiptarët. Do triumfonin se pengmarrja është morali i shqiptarëve. Se imuniteti është interpretim alla-shqiptar dhe jo detyrim kushtetues. Se korrupsioni është mjedisi i tyre. Pra, po ndalem këtu për të theksuar se çfarë rëndësie të jashtëzakonshme ka pasur qëndresa jonë, kanë pasur protestat tona. Dhe do kenë. Kjo rëndësi është shprehur në mënyrën më të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar. Ju jeni dëshmitarë se si kurrë ndonjëherë më parë në këtë vend në një hark kohor tremujor erdhën dy misione faktmbledhëse nga më të rëndësishmet.

Erdhi misioni i Parlamentit Europian, i përbërë nga deputetë të gjithë spektrit politik, i kryesuar nga kryetari i komisionit të jashtëm. Pra, një mision faktmbledhës, iu dha pesha dhe rëndësia maksimale. Erdhën, verifikuan, konstatuan me objektivitet problematikat e mëdha të Shqipërisë, të denoncuara prej nesh, por ne prapë ne përfaqësojmë spektrin politik që përfaqësojmë. Por ajo që është e rëndësishme, se ato u përqafuan nga i tëri spektri politik i Parlamentit Evropian.

Dhe kjo është një arritje e madhe për ne. Pas një pune shumë këmbëngulëse, shumë serioze, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ka diskutuar sot raportin.
Edi Rama nxin në çdo paragraf pothuaj të këtij raporti. Dhe ne kemi një mirënjohje të pakufishme ndaj këtij komisioni, ndaj misionit faktmbledhës për seriozitetin dhe objektivitetin që kanë treguar. Edi Rama është i plagosur, nuk shërohet më kurrë. Shqiptarët duhet ta dinë mirë. Ai mbijeton vetëm në qoftë se ne e falim dhe e kursejmë. Por ne nuk do e bëjmë këtë kurrë.

Lini një Përgjigje