Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm në garën e 23 majit, ku anëtarësia e Partisë Demokratike do të votojë për zgjedhjen e kryetarit.
Megjithëse pa rivalë në këtë garë dhe pas përjashtimit të pesë kandidatëve, ai mohon që kjo situatë të tregojë një parti të mbyllur, duke theksuar se PD mbetet e hapur ndaj konkurrencës.
Në deklaratat e tij, Berisha nënvizoi se Partia Demokratike është ndër të paktat forca politike që aplikon parimin “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e kryetarit.
“PD ka qenë dhe mbetet parti e hapur ndaj garës më eprore. Partitë që zgjedhin kryetarë me një anëtar një votë nuk janë shumicë, por janë pakicë. Janë një pakicë që po rritet. Kemi instaluar me kohë, jemi dhe do mbetemi parti e garës së lirë, ndershme, por themelore partia e anëtarëve të saj. Të qëndrosh parti e anëtarëve të saj, do të thotë t’iu japësh të drejtë atyre të shprehen dhe do të thotë të votohen ato që mbrojnë interesat dhe jo t’ua caktojë kandidatët dikush tjetër. Kjo nuk mund të ndodhë”, tha Berisha.
Ai theksoi se nuk ka ndërhyrë asnjëherë për të krijuar kandidatë formalë përballë tij dhe se përjashtimet janë bërë për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara nga partia.
“Kurrë dhe kurrë në jetën time, nuk kam tentuar dhe s’do tentoj të krijoj kandidaturë. Nga Berisha mos e prisni kurrë, në mënyrë absolute deri sot nuk i kam thënë njeriu të kandidojë. Si kam thënë kurrë Bashës të kandidojë, Olldashit, kurrë si kam kërkuar Uran Butkës të kandidojë me mua, kurrë Ibsen Elezit. Refuzoj në mënyrën më kategorike praktikën që të përpiqem të zgjedh rivalin.
Në përzgjedhjen e kandidatëve ka kritere, madje ka forca politike që kanë kritere të forta. Ne s’i kemi të forta. Kemi kritere ato që janë përcaktuar. PD ka qenë, është dhe do jetë parti e garës, parti e anëtarëve të saj, e votës së tyre. Por s’do jetë kurrë parti e kandidaturave kallpe. Kurrë si kam thënë Elezit për rival, ka kandiduar vetë”, vijoi Berisha.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se pritet ngritja e një grupi pune për organizimin e Kuvendit Kombëtar të PD, i cili do të mbahet më 30 maj. Sipas tij, data u shty për shkak të mungesës së një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e tij.
Lini një Përgjigje