
Zbardhet vendimi i Komisionit për Ankesat dhe Sanksionet në KQZ, sa i takon mospranimit të ankimimit të Enkelejd Alibeajt për vendimin e Ilirian Celibashit. Ky i fundit nuk pranoi që PD të regjistrohet në zgjedhje, me argumentin se kryetar i saj figuron Lulzim Basha dhe duhet të lëshohet një shkresë prej tij që autorizon persona të tjerë të ndjekin procedurat në KQZ.
Alibeaj e ankimoi vendimin në KAS, por sot Komisioni i Ankesave nuk e pranoi akimimin dhe duket se problemi çalon te Celibashi, i cili nuk ka marrë një vendim nëse do hyjë PD apo jo në zgjedhje. Sipas vendimit të KAS, Komisioneir i Zgjedhjeve nuk ka marrë vendim të prerë dhe kërkon prej tij që të vendosë duke mos e lënë evaziv qëndrimin.
“Vendimi i Komisionerit nr. 158, datë 09.03.2023 është për nga natyra e tij vendim i ndërmjetëm. Ai nuk i ka dhënë zgjidhje në themel kërkesës me nr. 1337 Prot., datë 06.03.2023. Komisioneri e ka detyrim ligjor që të shprehet me vendim për pranimin ose rrëzimin e saj. KAS-i është instancë e ankimit administrativ dhe jo instancë e shqyrtimit fillestar të kërkesave. KAS-i nuk mund të ushtrojë kompetenca, të cilat nuk i janë ngarkuar shprehimisht nga ligji. Kjo do të thotë se ai nuk mund të shprehet për themelin e kërkesave, pa u shprehur më parë Komisioneri si organ kompetent për shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre. KAS-i nuk ka kompetencë “për urdhërimin e regjistrimit si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë”” si instancë fillestare, sikurse i kërkohet nga ankuesi”, shprehet KAS.
Sipas KAS, vendimi i Komisionerit nr.158, datë 11.03.2023 është vendim i ndërmjetëm. Kodi Zgjedhor nuk përmban dispozita të veçanta për vendimet e ndërmjetme që merren nga organet e tij në një procedurë administrative.
“Duke qenë se Komisioneri vepron gjatë shqyrtimit të kërkesave në cilësinë e përgjithshme të një “organi publik në procedurë administrative”, për të vlejnë dhe janë të zbatueshme dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative që rregullojnë vendimet e ndërmjetme. Në nenin 67 të Kodit të Procedurave Administrative përcaktohet se vendimet e ndërmjetme merren “kur gjykohet se mosmarrja e masave të caktuara do të shkaktonte një dëm të rëndë e të pariparueshëm mbi interesin publik, apo të drejtave ose interesave të ligjshëm të palëve”. Në gjykimin e Komisionerit, mosplotësimi i dokumentacionit shoqërues të kërkesës nga ana e kërkuesit “Partia Demokratike” me kryetar z. Lulzim Basha do të sillte mosregjistrimin e kërkuesit si subjekt zgjedhor. Në shkronjën“ b” të pikës 1 të nenit 68 të tij përcaktohet se vendimet e ndërmjetme bien nga fuqia kur mbaron afati i caktuar në to. Pika 2 e nenit 130 të KPrA e kategorizon vendimin e ndërmjetëm si veprim procedurial (veprimi procedural është çdo akt, veprim apo mosveprim i organit publik gjatë procedurës administrative, që nuk është një akt administrativ përfundimtar), kurse pika 3 e të njëjtit nen përcakton se ndaj vendimit të ndërmjetëm (veprimit procedurial) mund të bëhet ankim i veçantë “vetëm kur ankimi parashikohet shprehimisht nga ligji”. Kodi Zgjedhor nuk ka përcaktime të shprehura për të drejtën e ankimimit të veçantë ndaj vendimeve të ndërmjetme”, shprehet KAS.
Ndërkohë pas vendimit të KAS, Celibashi ka njoftuar se nesër në orën 16.00 do të mbajë një mbledhje dhe do të vendosë se cili do të jetë fati i PD.
Lini një Përgjigje