
Detajet, si u arrestua kryeministri kroat dhe shembulli që duhet të ndjekë SPAK...
Amerikanët kërkojnë që SPAK të ndjekë shembullin kroat sa i takon luftës ndaj korrupsionit. Deri më tani Prokuroria e Posaçme ka shkuar te Sali Berisha, Lefer Koka, Alqi Bllako dhe disa ish-kryetarë bashkish. Por në Kroaci ish-kryeministri, Ivo Sanader u dënua me burg, ndërsa u arrestuan ministra, ish-ministra, deputetë dhe qindra funksionarë të lartë. Pak ditë pas vizitës së sekretarit Blinken, ambasada e SHBA ka sjellë në Tiranë prokurorët që futën në burg, Ivo Sanderin.
“Ekipet e ambasadave tona së fundmi mblodhën së bashku SPAK-un e Shqipërisë dhe USKOK-un e Kroacisë për të forcuar bashkëpunimin rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për t’iu përgjigjur kriminelëve që nuk njohin kufij. Shtetet e Bashkuara mbështesin fort strukturat e specializuara të drejtësisë si SPAK dhe USKOK, teksa ata hetojnë dhe ndjekin penalisht krimet më të rënda në rajon”, njoftoi ambasada.
Por pse erdhën Prokurorët e simotrës së SPAK në Kroaci? Fokusi më i madh ka qenë te pastrimi i parave. Kroatët ndoqën paratë për të shkuar te pushtetarët dhe duket se i njëjti model po tentohet të futet dhe në Shqipëri. Hetimet ndaj Sanaderit nisën vetëm nga një orë dore.
“Rëndësia e kësaj vizite, qendroi në diskutimet rreth forcimit të bashkëpunimit dhe lehtësimit të shkëmbimit të eksperiencave më të mira, sukseseve dhe sfidave me të cilat përballen të dyja institucionet në përpjekje të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Fokusi kryesor ishte edhe shkëmbimi i informacionit, veçanërisht në trajtimin e rasteve te pastrimit të parave në Kroaci, sidomos transaksionet e pasurive të paluajtshme, që përfshijnë kompani guaska dhe fonde që vijnë nga ose kalojnë përmes Shqipërisë, si dhe diskutime lidhur me çështjet aktuale për të cilat SPAK dhe USKOK, do të bashkëpunojë në të ardhmen”, njoftoi SPAK.
Rasti tipik ku SPAK po ndjek shembullin e Ivo Sanaderit është ai i Ilir Metës. Ish-Presidenti akuzohet se ka përfituar duke favorizuar CEZ-DIA. Ndërsa, Ivo Sanader u dënua sepse kishte përfituar 10.000.000 € nga kompania hungareze "MOL", për ta favorizuar atë në tregun kroat.
Sa i takon hetimeve, gazetarët raportonin që Sanader mbante ora dore shumë të shtrenjta, një prej të cilave vlente mbi 100.000 Euro. Hetimi ka nisur pas indicieve të para dhe ishte shumë i vështirë grumbullimi i provave. Hetimi u krye nga një skuadër, që konsistonte nga 7 Prokurorë dhe që punonin 16 orë në ditë, përfshirë të Shtunat dhe të Dielat. Është arritur të merren fakte të rëndësishme, që çonin në konkluzionin se ish-Kryeministri ishte përfshirë në aktivitete korruptive kriminale. Dëshmitarë të ndryshëm janë kontaktuar ku kanë dhënë fakte shumë të rëndësishme veçanërisht për fillimin e procesit.
Gjatë hetimit janë marrë në pyetje më tepër se 500 persona, disa prej tyre më shumë sesa njëherë në mënyrë të përsëritur. Një prej tyre, bashkëfajtor me ish-Kryeministrin, është Mladen Barisiç dhe është pyetur 19 herë, pasi prokurorët nuk besonin në deklaratat e tij. Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës të vendosë monitorim me kamera dhe audio-regjistrime. Gjithashtu, një hetim i hollësishëm financiar është kryer lidhur me pasurinë e Sanader. Ka pasur një bashkëpunim me agjencinë e parandalimit të pastrimit të parave të pista, administratën tatimore dhe ndihmë të veçantë ligjore nga Austria dhe SHBA-ja.
Pra, ky është shembulli që kërkojnë amerikanët dhe jo më kot i sollën në Tiranë hetuesit e USKOK. Të shohim tani se çfarë do bëjë SPAK me Metën dhe të gjithë dosjet e tjera që ka në dorë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje