
Rexhep Uka, një nga themeluesit historikë të Partisë Demokratike, ka mbajtur një fjalim gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të Koalicionit Euroatlantik, ku ishte i pranishëm përkrah drejtuesit politik të koalicionit, Lulzim Basha.
Profesor Rexhep Uka tha se ka lindur 72 vite më parë, ndërsa rrëfeu se ishte hera e dytë që nuk mund t’i thoshte jo politikës.
“E para ishte në 2005, pas 96-ës. E dyta është sot. Kam ardhur me ndërgjegje të plotë dhe jam mbushur me shpresë”, tha ai.
Në fjalën e tij, Uka u ndal në reflektime të thella mbi rrugëtimin e Partisë Demokratike dhe gabimet.
“Kujdes nga riciklimi! Populli shqiptar ka marrë lemeri nga ai parlament. Parlamenti është fytyra jonë. Ne e kemi në dorë ta ndryshojmë dhe të çojmë atje fytyrën tonë të vërtetë”, theksoi ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë për njerëz me mendje të ndritur, përvojë dhe përkushtim.
Profesor Uka shpreh mbështetjen për SPAK dhe thekson se shpresa e tyre është te institucioni i drejtësisë.
Fjalim i plotë:
Unë kam kohë që jam tërhequr nga politika, por dy herë jam gjendur ngushtë dhe që nuk mund ta refuzoja ftesën. E para, ka qenë pas 96-ës, në 2005 kur ftesën e pata nga Puka, - unë jam me origjinë nga Puka,- dhe baba më tha “nuk ke nga ja mban, do shkosh!”; dhe sot, erdha sot. Bëra një përjashtim të vogël, se isha edhe pjesë e programit më 1 Qershor.
Shoh që i njoh të gjithë këta sot dhe u mbusha me besim të jashtëzakonshëm se jam i bindur që s’do ketë mendje, zemër dhe dorë të votojë kundër këtyre burrave. Me këta, kam bërë biseda të gjata. Me Shemsiun, në 92-in në Tropojë, ne diskutonim si sot. Në 2017-ën më ka ftuar Lul Basha tek çadra, - e kam mik të ngushtë që në 2005-ën,- dhe të them të drejtën, nuk shkova. I thashë, -do vij vetëm me një kusht, nëqoftëse do të dalim bashkë, në televizor dhe ti do flasësh e do thuash: Ata që nuk janë më me ne, në të vërtetë nuk janë me askënd; Ata që nuk janë më me ne, kanë më të drejtë se sa ne dhe e ditkan të vërtetën, kjo është e hidhur e madhe.
Nuk mund të rri pa përmendur disa fakte të hidhura në atë tragjedi që ndodhi me PD-në, - e kini në Youtube. Partia Demokratike, u themelua në këmbë dhe asnjëherë nuk u ul për të analizuar, prandaj ndodhi ajo që ndodhi.
Ndodhi! Por shpresa vdes e fundit.
Ne e kuptuam fare mirë, që demokracia nuk është një destinacion, por stacion. Demokracia është tepër e vështirë, të paktën të bëjmë rotacionin, por kujdes nga riciklimi! Kujdes nga riciklimi sepse populli shqiptar, ka marrë lemeri nga ai parlament. Lemeri!
Është detyrë e jona, e qytetarëve që të zgjedhim brumin e mirë kësaj radhe edhe të dëgjojmë atje mendjen e ndritur, njerëz me përvojë, njerëz të përkushtuar, njerëz me qëndrime patriotike sepse po jetojmë në një periudhë shumë të turbullt. Jam i bindur që edhe një çilimi e kupton që bota është përpara disa sfidave të mëdha.
Sot, jemi në Kamëz. Mbrëmë kam lexuar fjalën time, në mitingun e parë demokratik që është bërë, këtu mbrapa shpinës time. Përpara kisha një të njohurin tonë, që bëri 8 vjet burg, vetëm pse i tha gjizës- gëlqere. Edhe e kisha përpara, edhe po shkulte flokët.
Kamza është vendlindja ime, këtu kam lindur 72 vjet më parë. Kam memorie 3-4 vjeçare, dhe mbaj mend, që nga dita e parë ndryshimet janë të jashtëzakonshme. Kush mohon ndryshimet, mohon vetveten.
Por ajo që duam ne, zhvillimi, ëndrrat tona, programi ynë i hershëm, jemi ende shumë larg.
Kush është treguesi?
Mërgimi. Mërgimi s’ju nda shqiptarëve asnjëherë.
Kjo është një fatkeqësi e madhe. Pse? Shumë arsye nxjerrin. Lloj- lloj specialistësh, lloj-lloj eksperti.
JO! Zogu që e ndjen, që meriton të jetojë më mirë, e kupton zhurmën e keqe dhe ikën.
Nuk është as ekonomia, asnjëra as tjetra por njeriu duhet ta ndjejë veten qytetar, të jetë me të vërtetë i lirë.
Këtë ende ne, nuk e kemi siguruar sepse nuk i patëm pushtetet e ndara.
Ka një shpresë, që quhet SPAK! Është shpresë e madhe. Por kjo erdhi pasi nuk e bëmë dot ne. E kemi shembullin e mirë, të çojmë këta djem në parlament. Ua kam thënë Lul Bashës dhe do ua them publikisht. Në 2007 unë e kisha menduar kryeministër. Është një copë perëndimore që nuk e ka ngrënë regjimi komunist.
E kemi në dorë të mos ankohemi, se parlamenti në fund të fundit është fytyra jonë dhe duhet ta ndryshojmë e të çojmë fytyrën tonë të vërtetë atje.
Lini një Përgjigje