Deputetët e Sali Berishës kanë shkuar në Kuvend rreth një orë para se të nisë seanca parlamentare dhe kanë bllokuar foltoren me karriget e deputetëve të PS.
Nuk pritet të jetë një seancë e qetë as kjo e sotmja. Deputetët janë futur në Kuvend me skenarin e qartë për të bllokuar sërish seancën plenare.
Ata kanë marrë karriget që duhet të ulen deputetët e PS dhe i kanë vendosur përmbysur para foltores së parlamentit ku mbahet fjala.
Ndërkohë, Garda ka ndërhyrë për t’iu paraprirë çdo situate.
Në rendin e ditës janë parashikuar një sërë çështjesh, mes tyre edhe një interpelancë e kërkuar nga deputeti Nasip Naço me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Edhe këtë seancë, 6 deputetë të Rithemelimit janë të përjashtuar pas situatës kaotike që krijuan në parlament javën e kaluar. Bëhet fjalë për Gazmend Bardhin, Bledion Nallbatin, Flamur Nokën, Edi Palokën dhe Albana Vokshin që janë përjashtuar me 10 ditë, ndërsa Saimir Korreshi me 3 ditë.
Por, pavarësisht masës disiplinore të marrë nga Komisioni i Etikës me propozimin e PS, deputetët e Sali Berishës kanë paralajmëruar sërish kaos ditën e sotme. Ishte Gazment Bardhi që një ditë më parë tha se do të jenë të pranishëm në seancë, ndonëse janë të përjashtuar. Po ashtu edhe Berisha tha se opozita do të luftojë për të drejtat e saj.
Rithemelimi ka ndërmarrë akte ekstreme në Kuvend duke mos lejuar prej disa javësh zhvillimin normal të seancave. PD e Lulzim Bashës është distancuar nga këto akte, duke thënë se një opozitë e dhunshme i shërben Edi Ramës.
Lini një Përgjigje