Duke parë lëvizjet e politikës pas arrestimit të Malltezit, duket qartë se të gjithë kanë filluar të tremben...
Lëvizja e fundit e Prokurorisë së Posaçme duke arrestuar Jamarbër Malltezin dhe duke marrë të pandehur Sali Berishën i ka alarmuar të gjithë.
Kjo ishte lëvizja më e fortë e ndërmarrë në 30-vite dhe që prej së shtunës, mësohet se nuk po bëjnë gjumë të qetë shumë persona. Vetë Berisha padyshim është më i alarmuari. Masa e sigurisë “detyrim paraqitje” mund të jetë vetëm maja e ajsbergut për të, duke marrë parasysh se SPAK po heton edhe aferën CEZ-DIA dhe skandalin e Gërdecit, ku rrezikohet i biri.
Berisha ka 2 javë që del në media duke ushtruar presion ndaj SPAK. Madje të hënën pati dhunë në Kuvend dhe në mbrëmje ai nxori vajzën në televizion, duke rritur presionin ndaj drejtësisë që të mos vijojë më tej, pasi ai është në gjendje të fusë në zgrip vendin. Po ashtu komisionet janë në kaos dhe duket qartë se Berisha po lufton fort.
Personi i dytë është Ilir Meta. Pas lajmeve se ai është arratisur dhe po i fshihet drejtësisë, filluan manovrat. Të hënën ishte Monika Kryemadhi, e cila sulmoi SPAK-un. Dje doli me vrap Meta në konferencë shtypi duke bërë të njëjtën gjë. Por vihet re se ai është më i moderuar se Berisha. Meta duket se po lufton ende në prapaskenë të arrijë pazarin për t’i shpëtuar ndëshkimit. “Pamfleti” e ka raportuar se prej muajsh Meta po tenton që fajin ta marrë përsipër Kryemadhi, por mbetet të shihet si do të përfundojë. Meta akuzohet për fshehje të lobimeve në SHBA, po ashtu po hetohet për CEZ-DIA dhe për disa dosje të tjera.
Por lëvizja e SPAK-ut nuk ka shqetësuar vetëm opozitën, por edhe vetë Bablokun. Edi Rama gjithashtu ka dalë nga qarkullimi. Në Kuvend nuk shkon, ndërkohë që anuloi edhe Kongresin e PS. SPAK-u pak ditë më parë mori në pyetje Dorian Duçkën, duke dhënë sinjale se ka hapur skandalin “McGonigal”, në të cilin implikohet vetë Kryeministri. Po ashtu, Altin Dumani dhe 10 anëtarë të SPAK-ut e BKH-së kanë shkuar në SHBA këto ditë, ku nuk përjashtohet mundësia të informohen për rastet që prekin amerikanët.
Pastaj njerëzit më të terrorizuar janë ministrat dhe krerët e bashkive. Kemi disa emra si Olta Xhaçka, Ilir Beqja apo Frida Krifca, që i kanë gati dosjet dhe po e bëjnë gjumin me frikën se SPAK-u do t’i arrestojë. Po ashtu janë disa kryetarë bashkie që po shkojnë drejt arrestit. Sot duhej të paraqitej në SPAK Rakip Suli, teksa pak më herët u fundos kryebashkiaku i Rrogozhinës. Pra duket se SPAK-u është kthyer në makth për të gjithë, por mbetet të shihet nëse prokurorët do e ndjekin këtë lloj rruge, apo do kthehen aty ku kanë qenë. E sigurt është se SHBA-ja ka dhënë udhëzime të qarta që të shkohet deri te niveli më i lartë i politikës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje