Kuvendi duket se është futur në kaos. Opozita e ka ndarë mendjen për të mos lejuar seancat plenare edhe Komisionet Parlamentare të zhvillohen.
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet ditën e sotme, ndërsa në rendin e ditës janë parashikuar një sërë çështjesh, mes tyre edhe një interpelancë e kërkuar nga deputeti Nasip Naço me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Edhe këtë seancë, 6 deputetë të Rithemelimit janë të përjashtuar pas situatës kaotike që krijuan në parlament javën e kaluar. Bëhet fjalë për Gazmend Bardhin, Bledion Nallbatin, Flamur Nokën, Edi Palokën dhe Albana Vokshin që janë përjashtuar me 10 ditë, ndërsa Saimir Korreshi me 3 ditë.
Por, pavarësisht masës disiplinore të marrë nga Komisioni i Etikës me propozimin e PS, deputetët e Sali Berishës kanë paralajmëruar sërish kaos ditën e sotme.
Ishte Gazment Bardhi që një ditë më parë tha se do të jenë të pranishëm në seancë, ndonëse janë të përjashtuar. Po ashtu edhe Berisha tha se opozita do të luftojë për të drejtat e saj.
Sali Berisha është paraqitur në orën 09:00 në seancën e Kuvendit konfirmoi edhe një herë skenarin për të krijuar kaos me qëllim që të mos lejohet zhvillimi normal i seancës parlamentare pa miratuar kërkesat e tyre.
Berisha tha se maxhoranca ka planifikuar të përdorë ushtrinë por as kjo nuk do e ndalojë.
"Nuk ka forcë në botë, ju e dëgjuat besoj, kanë planifikuar të përdorin dhe ushtrinë. Njëlloj me skenarin e vitit 1990 – 1991. Le të bëjë ctë dojë por atë nuk e shpëton asgjë nga revolta e popullit opozitar për kushtetutën dhe të drejtën tij
A do të lejojë zhvillimin normal të seancës plenare?
Jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese të mohuara në mënyrën më brutale por që në vlerësimin tonë janë interesi i të gjithë qytetaëve që duan pluralizmin dhe interesi i atyre që votuan kundër qeverisë dhe një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë përfaqësuesin e të cilis do të caktojë Edi Rama."-u shpreh Berisha për mediat.
Rithemelimi ka ndërmarrë akte ekstreme në Kuvend duke mos lejuar prej disa javësh zhvillimin normal të seancave. PD e Lulzim Bashës është distancuar nga këto akte, duke thënë se një opozitë e dhunshme i shërben Edi Ramës.
Ditën e djeshme pas përplasjes në Konferencën e Kryetarëve, grupi i Berishës ka bllokuar edhe mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Mësohet se deputetët e opozitës nuk kanë lejuar socialistët të flasin dhe këta të fundit janë detyruar të braktisin mbledhjen.
Që pas vendimit të PS për të mos pranuar komisionet hetimore për koncesionet në shëndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS, opozita vendoi të bllokojë punimet e Kuvendit. Por aksioni u agravuar pas akuzave që SPAK ka ngritur ndaj Sali Berishës. Të hënën situata degradoi deri në përplasje fizike, ku deputeti i PD Bledion Nallbati goditi me grusht socialistin Vullnet Sinaj.

Lini një Përgjigje