
Miratimi i formulës për mbajtjen e procesit të primareve duket se ka lënë shumë hatërmbetje brenda PD-së.
Mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të forta dhe kundërshtime mbi mënyrën dhe kohën kur do të zhvillohen Primaret.
Miratimi i formulës për mbajtjen e procesit të primareve, duket se ka lënë dhe shumë hatërmbetje brenda PD-së. Ashtu sikundër flitej, Sali Berisha ka përjashtuar nga ky proces drejtuesit politikë në qarqe, të cilët duket se do të kenë një vend të sigurta në lista.
Por ky vendim është kundërshtuar nga demokrati Myslym Murrizi, i cili nuk ka qenë dakord me përjashtimin nga primaret të drejtuesve politikë në qarqe.
Sipas Murrizit kjo ndarje bënë diferenca jo demokratike brenda partisë, teksa ka theksuar se kjo formulë është vrastare. Murrizi gjithashtu kërkoi transparencë dhe kujdes në zgjedhjen e aleatëve.
“Jam dakord me statutin për primaret, por duhet të jenë të hapura. Përderisa drejtuesit e degëve japin dorëheqjen, pse ndryshe do të duhet të ndodh për drejtuesit politik? Askush s’mund të na ndajë, në disa politikanë inferior e disa superior. Bëjini kombëtare primaret, është vrastare kjo formule. Aq më tepër më një votë. Mos keni frikë nga lobimi i brendshëm.
Unë do hyj në primaret e Tiranës dhe dua të jem në lista te hapura. Duhet te shihni dhe koalicionet. Ku është sot Shpëtim Idrizi? Duhet të ketë kujdes përzgjedhja e aleateve”, tha ai gjatë mbledhjes.
Kundërshtime ka pasur edhe nga ana e Bujar Leskajt, i cili ndër të tjera nuk ka qenë dakord me datën e primareve që është lënë më 1 Mars. Sipas tij kjo datë është e nxituar pasi deri në 4 Mars ata pritet të jenë të angazhuar me votën e Diasporës.
“Duhet të votohen edhe drejtuesit politik. Ose t’i kalojnë votimit në qark. Kryetarët e degëve nuk duhet të jepnin dorëheqje pasi ata janë zgjedhur me votë.
Nuk jam dakord me datën 1 Mars për mbajtjen e primareve. Kjo pasi këtë kohë deri në 4 Mars jemi të angazhuar me votën e Diasporës”, tha Leskaj ndër të tjera gjatë mbledhjes.
Lini një Përgjigje