TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Shkurt 2026, 16:32

Gjykata i liroi, Noka: Të miturit e arrestuar në protestë janë keqtrajtuar në komisariat, edhe psikologu ishte polic

Shkruar nga Pamfleti
Gjykata i liroi, Noka: Të miturit e arrestuar në protestë
Flamur Noka dhe Eda Grimci

Gjykata Penale e Tiranës liroi sot 7 të miturit e arrestuar gjatë protestës së opozitës në 10 shkurt, pas përplasjeve që u krijuan me forcat e rendit dhe hedhjes së molotovëve në drejtim të tyre.

Pas vendimit të Gjykatës, e cila vendosi masën “detyrim paraqitje” 1 herë në muaj, deputeti Flamur Noka dhe avokatja Eda Grimci, akuzuan policinë për dhunë barbare ndaj të miturve. Ata pretenduan se edhe psikologu ishte polic.

Sipas Nokës, të rinjtë kanë deklaruar në gjykatë se janë dhunuar gjatë qëndrimit në komisariat, duke e cilësuar arrestimin dhe trajtimin e tyre si një akt që nuk ndodh në asnjë vend demokratik.

Ai denoncoi gjithashtu faktin që psikologu i paraqitur për të miturit rezultonte të ishte punonjës policie, duke e cilësuar këtë si një shkelje të rëndë të standardeve ligjore.

Noka paralajmëroi se përgjigja për këto akte do të merret në protestën e datës 20.

“Datën 20 do ta marrë përgjigjen edhe banditi, të gjithë banditët me uniformë, dhe Edi Rama si kreu i narko-shtetit,” përfundoi Noka.

Nga ana e saj, avokatja Grimci u shpreh se të miturit kanë dhënë deklarata pa praninë e prindërve dhe kanë qenë subjekt presioni për t’u paraqitur si pjesë e një grupi të strukturuar. Ajo shtoi se arrestimet janë kryer në mbrëmje rreth orës 20:00, 21:00, ndërsa në dokumentacion janë pasqyruar si të ndodhura në mesnatë, me qëllim mbajtjen e tyre në ndalim.

Sipas Grimcit, gjatë shoqërimit të miturit janë dhunuar fizikisht dhe janë cenuar të drejtat e tyre procedurale.

Përfaqësuesit e opozitës e cilësojnë çështjen si një rast të rëndë të tejkalimit të kompetencave nga ana e policisë, ndërsa kërkojnë hetim të plotë mbi trajtimin e të miturve gjatë arrestimit dhe qëndrimit në komisariat.

noka protestues gjykata

Lini një Përgjigje