TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Shkurt 2026, 13:42

"Spitali i Lushnjës në kushte dramatike", Korreshi: 2 javë për të pastruar fekalet, buxheti u përgjysmua!

Shkruar nga Pamfleti
"Spitali i Lushnjës në kushte dramatike", Korreshi: 2
Saimir Korreshi

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ngriti alarmin për gjendjen e Spitalit të Lushnjës, duke e cilësuar situatën si dramatike dhe duke renditur një sërë problematikash që, sipas tij, po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Në një deklaratë publike, Korreshi kritikoi mungesën e aparaturave funksionale, uljen e buxhetit, zhvendosjen e urgjencës dhe kushtet në të cilat, sipas tij, pacientët marrin shërbim në korridore.

Sipas Korreshit, një nga zgjidhjet kryesore është rikthimi i statusit të spitalit nga bashkiak në rajonal, çka sipas tij do të sillte më shumë investime dhe fonde. Ai theksoi se ky institucion u shërben rreth 250 mijë banorëve, jo vetëm në Lushnje dhe Divjakë, por edhe në zonat e Belshit, Rrogozhinës dhe Peqinit.

Deputeti demokrat iu referua edhe të dhënave të Drejtorisë së Spitalit, sipas të cilave buxheti për vitin 2025 ka pësuar ulje nga 107 milionë lekë në 92 milionë lekë, ndërsa fondi për analizat është reduktuar nga 48 milionë lekë në 43 milionë lekë për vitin 2026.

Ai shtoi se buxheti i Spitalit të Lushnjës është rreth 50% e atij të Spitalit Rajonal të Fierit, ndërkohë që, sipas tij, trajton 80% të pacientëve që i drejtohen këtij të fundit.

“Sot situata është dramatike. Unë i bëj sfidë ministrit të shëndetësisë dhe deputetëve që të vijnë ta shohin Spitalin e Lushnjës. Këtu duhet ndryshuar statusi bashkiak me atë rajonal që ka qenë dikur që përkthehet në më shumë investime dhe lek për këtë spital. Vjet buxheti ka qenë 107 milion lek ndërsa sivjet është 92 milionë lek. Po e bastardojnë këtë qytet dhe fondi për analizat ka një ulje të ndjeshme. Nuk ka medikamente për të bërë analizat dhe i dërgojnë në spitale private.

Spitali i Lushnjës ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ka ofruar shërbime 250 mijë njerëz por sot nuk ka skaner që punon. Nuk po bëhen as operacionet më të thjeshta si ai i apendisitit, sepse është prishur skaneri. Mamografia është gjithashtu e prishur ndonëse është dhuruar nga Komuniteti Islamik. Sot në Urgjencën e Lushnjes çfarë bie jashtë hyn brenda, krevate janë në korridore, po të shkosh tek gjinekologjia nuk ka aparat ekografie. Sot spitali është në kushte dramatike. Nuk kemi mjete për të ekzaminuar. Kjo sjell pasoja edhe në jetën e qytetarëve sepse jo të gjithë e kanë mundësinë të shkojnë në Tiranë apo në Fier. I bëj thirrje ministres, deputetëve të ngrejnë zërin se Lushnja meriton një spital dinjitoz ku të marrin shërbim”, tha Korreshi.

Korreshi foli edhe për gjendjen e godinave, duke e cilësuar një prej tyre në rikonstruksion si në kushte të rënda higjieno-sanitare.

“Godina e degraduar, 2 javë për të pastruar fekalet, dyshekë, çarçafë, llumi deri në qafë. Ndaj të veprojnë se ku vjen puna mburren me 500 milionë euro të Lushnjës për bujqësinë”, përfundoi ai.

Deputeti ironizoi gjithashtu deklaratat e përfaqësuesve socialistë, duke përmendur prodhimtarinë bujqësore të Lushnjës, që sipas tij i sjell buxhetit të shtetit 500 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër, shtoi ai, qyteti mbetet pa një spital rajonal dhe me buxhet të reduktuar për shëndetësinë.

Lini një Përgjigje