Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, komentoi protestën e 10 shkurtit të organizuar nga opozita, duke deklaruar se reagimi qytetar do të vazhdojë dhe, sipas tij, do të jetë edhe më i fortë në ditët në vijim.
Berisha tha se gjatë protestës ka pasur urdhra për arrestimin e të rinjve, por theksoi se kjo nuk do ta zbehë pjesëmarrjen në tubimet e ardhshme.
“Urdhri ka qenë të arrestohen të rinj, por ju siguroj se protestën tjetër do të jetë dyfishi i të rinjve. Zemërimi i të rinjve është i pakufijshëm”, u shpreh ai.
Sipas tij, protesta është thirrur për opozitarët dhe demokratët, ndërsa nënvizoi se forca e saj nuk qëndron tek dhuna.
“Forca jonë nuk është dhuna. Ne tmerrojmë. Kjo është kryengritje paqësore”, deklaroi Berisha, duke shtuar se protestuesit nuk shkojnë për të qëlluar policët, por për të shprehur zemërimin ndaj kryeministrit dhe qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për, siç u shpreh, përdorim të dhunës ndaj protestuesve. Ai pretendoi se disa qytetarë janë qëlluar në kokë gjatë protestës, duke përmendur me emër Ilir Tushin, Dem Dollapin dhe Luan Lleshin, si dhe një zonjë që, sipas tij, është plagosur në krahë.
“Këta të tre u goditën në kokë, të tre mund të mos ishin sot”, tha ai.
Berisha shtoi se protestuesit nuk synojnë përplasje me efektivët e policisë, duke bërë dallimin mes, siç tha, “policëve të thjeshtë” dhe personave që ai i cilësoi përgjegjës për aktet e dhunës. “Një polic të plagosur nuk e pamë, as të plagosur as të gërvishtur. Protestuesit nuk shkojnë për dhunë”, u shpreh ai.
Në përfundim, kreu i PD e cilësoi situatën si një “fushëbetejë” politike dhe deklaroi se opozita do ta fitojë këtë përballje. “Ne çdo betejë që kemi nisur e kemi fituar, tani do fitojmë luftën”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje