Partia Demokratike ka paralajmëruar protestën e radhës kombëtare më 20 shkurt, ndërsa mbetet e paqartë nëse kësaj nisme do t’i bashkohen edhe partitë e tjera opozitare.
Drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi në një lidhje direkte me emisionin “Sot Live në Shqipëri” se pjesëmarrja e tyre kushtëzohet nga forma e organizimit të protestës. Sipas tij, e vetmja rrugë është një protestë pa logo partiake, me bashkim qytetar përtej kufijve politikë.
“Nuk ka pronar sheshi. Tërë diskutimi është që kjo që bëhet t’i shërbejë kauzës së ndryshimit. Nuk është çështja kush bashkohet me kë. Është çështja kush është kundër Edi Ramës dhe e ka seriozisht detyrimin e tij për të dhënë dorëheqjen pasi është kapur në flagrancë ai dhe qeveria e tij duke vjedhur, duke deformuar fondet publike dhe duke i bërë këtij vendi dëm të jashtëzakonshëm.
Që ditën e parë e kemi thënë që në këtë shesh jemi të hapur të shohim dhe do të gëzoheshim të shihnim grupime të ndryshme, parti politike, organizata të shoqërisë civile, intelektualë të cilët revoltën e tyre, përballë padrejtësisë që bëhet dhe që e shprehin në statuse në Facebook, studio televizive, shkrime apo në përditshmëri, duhet që këtë energji ta bashkojnë në shesh me të ngjashmit e tyre sa i takon hallit të përbashkët që është korrupsioni, padrejtësia, mungesa e garës, vjedhja e zgjedhjeve, vjedhja e buxhetit të shtetit dhe kjo mund të ndodhë vetëm në një mënyrë: nëse ne të gjithë kuptojmë që gardhet partiake pengojnë flukset për të krijuar qytetarët kohezion me njëri-tjetrin, për këtë arsye ne kemi thënë kjo është një protestë pa logo, një protestë që kërkon absolutisht një bashkim të madh nën një simbol të pëbashkët që i identifikon të gjithë qytetarët që është flamuri kombëtar, me disa kërkesa të përbashkëta që është dorëheqja e qeverisë aktuale dhe krijimi i qeverisë tranzitore me mandat 12-mujor, e përbërë nga intelektualët më të mirë që kemi brenda dhe jashtë vendit, për të bërë paketë reformash zgjedhore për të organizuar zgjedhjet e para demokratike dhe të ndershme në Shqipëri, duke i hequr Edi Ramës mundësinë që të drejtojë qeverinë gjatë zgjedhjeve, të keqpërdorë buxhetin e shtetit, lejet dhe licencat që jep shteti, të keqtrajtojë administratën apo të përdorë Ministrinë e Brendshme për t’i krijuar akses krimit.
Jemi duke i pritur në shesh 24 orë në 24, kështu që më datë 20, për të qenë i qartë, është një protestë e cila nuk i ka adresuar këto që ne themi, vendosja në shesh 24/24, heqja e logove, bashkimi nën një flamur kombëtar, dakordësim për një kod zgjedhor që është proporcionali kombëtar me lista të hapura, një zonë zgjedhore me 140 deputetë. Sa kohë që këto nuk ndodhin, nuk do të jemi në atë protestë”, tha Lapaj.
Ai përgëzoi gjithashtu nismën e intelektualëve dhe sqaroi se protesta ishte shtyrë më herët për shkak të negociatave me partitë e tjera, me synimin që ato të qëndronin në shesh në mënyrë të vazhdueshme për kauzën kundër qeverisë, gjë që sipas tij nuk u realizua.
Lapaj njoftoi se protesta e radhës e thirrur nga lëvizja që ai drejton do të mbahet më 28 shkurt.
“Më datë 28 shkurt, ditën e shtunë do të thërrasim protestën e pestë të madhe dhe besoj që numri do të jetë më i madh, ka ardhur gjithmonë në rritje. Ne po bëjmë një betejë të pandalshme me gjithçka mundemi kundër atyre që e vjedhin këtë vend. Kjo nuk është një betejë që bëhet me protesta turistike, as duke ardhur e ndenjur dy orë këtu, as duke negociuar në parlament me ata që e vjedhin këtë vend.”, përfundoi Lapaj.
Lini një Përgjigje